Drita fiton bindshëm ndaj Dukagjinit

Drita ka arritur të fitojë me rezultat të thellë ndaj Dukagjinit në ndeshjen përmbyllëse të xhiros së 16-të të BKT Superligës.

Sport

29/11/2021 15:07

‘Bardhekaltrit’ kanë triumfuar me rezultat 4-0 në një ndeshje të cilët ata e luajtën me një futbollist më shumë që nga minuta e 40-të kur Altin Merlaku i Dukagjinit u ndëshkua me karton të kuq pas ndërhyrjes të rrezikshëm ndaj Ardian Limanit.

Golin e parë e realizoi Arbnor Muja në minutën e tetë të ndeshjes, teksa në fund të pjesës së parë vendasit e kishin mundësinë që të shkonin me avantazhin e dy golave, megjithatë Almir Ajzeraj dështoi nga pika e penallitsë.

Në pjesën e dytë, në avantazhin e një futbollisti më tepër, Drita realizoi tre gola të tjerë.

Fillimisht Arbnor Muja realizoi golin e dytë në minutën e 62-të, përpara se Ilir Blakçori të realizonte golin e tretë të skuadrës në minutën e 83-të.

Fitoren e vulosi Ardit Tahiri i cili realizoi në minutat shtesë për t’i dhënë një fitore të thellë skuadrës së tij.

Drita me këtë fitore ngritet në pozitën e tretë me 28 pikë të mbledhura, me një pikë më pak se Gjilani, e dy më pak se Ballkani.

Dukagjini ndërkohë mbetet në pozitën e parafundit në tabelë me 16 pikë të mbledhura në 16 xhiro. /Lajmi.net/