Drenasi meriton më mirë
Vetëvendosje ka mbajtur një tubim elektoral në Drenas. Aty, Rexhep Selimi deklaroi se Adem Jashari luftoi për flamurin kombëtar shqiptar, e jo për flamurin e Kosova Petrollit. Albin Kurti kërkoi mbështetje për Alternativën e kësaj Lëvizjeje.
Lajme
Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot një tubim elektoral në Drenas, në të cilin ka marrë pjesë edhe lideri i saj, Albin Kurti.
Ai deklaroi para një salle të mbushur me simpatizantë se Drenasi ka nevojë për Alternativën Qeverisëse të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Ashtu siç Vetëvendosje e do sovranitetin për shtetin, bashkimin për kombin, dhe vetëvendosjen për popullin, ne njësoj e duam edhe drejtësinë për qytetarët, prodhimin për ekonominë, dhe barazinë për shoqërinë”.
“Qytetarët e Drenasit janë një popullsi punëtore dhe e ndershme, trime dhe patriotike. Mirëpo, komuna e Drenasit është pllakosur në varfëri e mjerim, në papunësi dhe korrupsion. Drenasi dhe qytetarët e tij meritojnë shumë më tepër dhe kanë të drejtë shumë më shumë”.
Kurti pohoi para mbështetësve të tij se Vetëvendosje në Drenas do të udhëheqë me vizionin i mirëqenies.
“Vizion ky që thotë: asnjë familje pa kulm mbi kokë, dhe për çdo shtëpi së paku një të punësuar”.
Ai u tha banorëve të Drenasit se ndotja aktuale që bëhet nga Ferronikeli është nën çdo standard të lejueshëm për mbrojtjen e mjedisit.
“Përderisa kjo ndotje këtu është pranuar e lejuar nga pushteti aktual si në Prishtinë i PDK’së, po ashtu edhe ai këtu në Drenas, me qeverisjen e Vetëvendosjes, me pushtetin e Rifat Demakut, ne nuk do të lejojmë një ndotje të tillë”.
“Ferronikeli, të gjithë e dimë se është shitur për vetëm 30 milionë euro, ndërkohë që përftimi vjetor është më i madh se kaq. Pra, Ferronikeli, që e ka qarkullimin vjetor mbi 100 milionë euro, është shitur më lirë sesa fitimi vjetor që i shkon pronarit të huaj. Me pushtetin e Vetëvendosjes, me Rifat Demakun Kryetar të Drenasit, kjo edhe do të rishikohet edhe do të korrigjohet”.
Kandidati i Vetëvendosejs për Kryetar të Komunës, Rifat Demaku, tha se varfëria dhe mungesa e shërbimeve esenciale, dëshmojnë keqqeverisjen e partisë që udhëheq Drenasin.
“Për qytetarët tanë, zgjedhjet lokale të nëntorit janë mundësia për ta ndërruar qeverisjen komunale, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje! është alternativa që garanton zgjidhjen e problemeve të tyre”.
Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, para qytetarëve të Drenasit tha se ndryshimi në këtë Komunë është shumë i nevojshëm dhe shumë i mundshëm, e sidomos kur këtij ndryshimi i prinë Lëvizja Vetëvendosje.
“Këta na flasin për ‘Drenasin evropian’ e ‘Kosovën evropiane’. Korrupsioni që bëjnë këta nuk është hiç evropian; varfëria që këta kanë sjellë nuk është varfëri evropiane; agresiviteti që kanë këta ndaj qytetarëve të Kosovës nuk është evropian”.
“Ne vërtetë duhet ta kemi atdheun tonë të integruar në Evropë, por së pari duhet ta bëjmë veriun e Mitrovicën të Kosovës, pastaj Kosovën ta bëjmë të Shqipërisë, e në fund gjithë bashkë në Bashkimin Evropian”.
“Pushteti i sotëm ka marrë vota edhe duke u thirrur në të kaluarën e lavdishme të popullit shqiptar. Adem Jashari nuk luftoi për një Kosovë të ndarë, por për një Shqipëri të bashkuar. Adem Jashari luftoi për flamurin kombëtar shqiptar, e jo për flamurin e Kosova Petrollit. Prandaj këta pushtetarë janë të papranueshëm, të panevojshëm dhe të rrezikshëm. Prandaj, duhet të ndërrohen”.