Drejtori merr 3500 euro por s’ka asnjë punëtor, Ndërmarrja Publike që ka mbetur peng i Arbitrazhit

Që prej kohës kur është themeluar Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës (NKEC) nuk ka arritur të punësojë asnjë punëtor. Bile ajo nuk është duke e kryer as punën për të cilin është themeluar. Qeveria Kurti e cila mori mandatin në mars të këtij viti, sipas planifikimeve të saj do të bëjë shuarjen e ndërmarrjes, por fillimisht i duhet të zgjidhë një padi në Arbitrazh.

Lajme

29/11/2021 17:51

Themelimi i Ndërmarrjes ishte kërkuar nga Marrëveshjet e Termocentralit ‘Kosova e Re’ (TCKR’së), të nënshkruara në 2017, mes Qeverisë dhe ContourGlobal (GenCo) me qëllim të marrjes së të gjithë energjisë elektrike të prodhuar nga kompania gjeneruese (GenCo) e Termocentralit Kosova e Re.

Afati kontraktual, i cili derivon nga Marrëveshjet Komerciale të këtij projekti, kishte paraparë si datë të fundit për arritjen e përmbylljes financiare të projektit datën 24 Maj 2020. Po me këtë datë, ContourGlobal ka bërë njoftim për shkëputje të të gjitha marrëveshjeve komerciale, shkruan lajmi.net.

Po ashtu, edhe Qeveria në qershor 2020 kishte njoftuar investitorin ContourGlobal për ndërprerje të marrëveshjes. Ndërsa me datë 19.11.2020, investitori ContourGlobal kishte paditur Qeverinë e Kosovës dhe Ndërmarrjet Publike nënshkruese të Marrëveshjeve Komerciale në Gjykatën e Arbitrazhit. Procedurat e zhvillimit të Arbitrazhit janë ende duke vazhduar, kurse rastin për mbrojtjen e Kosovës e udhëheq Avokatura Shtetërore e Kosovës, nga Ministria e Drejtësisë.

Pos ngjarjeve të cilat hedhin dyshime të bazuara dhe pasiguri materiale në lidhje me mundësinë e realizimit të projektit të ndërtimit të Termocentralit, ekziston edhe pasiguria e financimit të Ndërmarrjes. Financimi i NKEC ende nuk ishte zgjidhur si çështje afatgjatë, por gjatë vitit 2020 financimi i saj është bërë vetëm nëpërmjet subvencioneve të Qeverisë. Po ashtu Ndërmarrja ende është duke funksionuar me bord të përkohshëm.

Tashmë dihet se Qeveria Kurti ka hequr dorë për ndërtimin e ndonjë termocentrali të ri, ndërkohë që po pret vetëm vendimin final në Arbitrazh që ta shuaj Ndërmarrjen. Kësisoj, qeveria nuk ka asnjë opsion lidhur më këtë ndërmarrje derisa të qartësohet çështja e padisë.

“Sa i përket Ndërmarrjes Publike “Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës (NKEC)”, ne aktualisht jemi duke shqyrtuar nëse procesi i arbitrazhit mund të ndikohet nga statusi i ndërmarrjes NKEC dhe në bazë të kësaj do të ndërmarrim hapat e ardhshëm”, ka bërë të ditur për lajmi.net zyra për informim e Ministrisë së Ekonomisë.

Stafi i NKEC aktualisht përbehet nga, Bordi i Drejtorëve -5 anëtarë, Drejtori Ekzekutiv, UD i Drejtorit të Shërbimeve Korporatave, si dhe Zyrtari për Financa dhe Kontabilitet.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit -ZKA, e cila ka publikuar Raportin e Auditmit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Ndërmarrjes së Re Energjetike të Kosovës (NKEC) për vitin 2021, shihet se Ndërmarrja ka pasur një buxhet në vitin e kaluar në vlerë prej 300 mijë euro, 150 mijë të ndara në qershor e 150 mijë tjera të ndara më 31 dhjetor 2020.

Shpenzimi në paga për vitin e kaluar kanë qenë 118,718 euro, ndërsa për shpenzime administrative rreth 2200 euro. Kryshefi ekzutiv, Fadil Ismaili ka një pagë mujore në vlerë prej 3,500 eurove, pasi ka deklaruar të hyra vjetore në Agjencinë Kundër Korrupsionit në këtë ndërmarrje në vlerë prej 42 mijë eurove. Anëtarët e Bordit kanë deklaruar paga të ndryshe, disa nga ta rreth 500, 600 dhe 800 euro.

Nga kompania kanë arsyetuar pagat që po i marrin aktualisht.

“Sa i përket NKEC, pas këtyre zhvillimeve ka qenë e angazhuar në ofrimin e dokumenteve, dëshmive dhe këshillave drejt Institucioneve Qeveritare në raport me projektin TCKR. Gjithashtu, janë përpiluar disa opsione të mundshme për zhvillimet e mëtutjeshme të Projektit, pra edhe zhvillimit të NKEC. Këto opsione i janë dërguar Qeverisë së Kosovës”.

Sipas Planit të biznesit të NKEC 2020, ndërmarrja mëtonte që deri në fund të vitit 2021 të ketë 31 të punësuar, ani pse plani i biznesit është bërë në Tetor të vitit 2020, kur Kosova dhe ContourGlobal kishin filluar betejën në Arbitrazh.

NKEC nuk ka as zyrë të vetat. Aktualisht është duke qëndruar në hapësirat e zyrave të lejuara nga kontraktori USAID-it, DT Global në bazë vjetore. Zyre e saj gjenden në Prishtinë. /Lajmi.net/