Drejtori i PK-së, Hoxha: Sulmi i mbrëmshëm më i rëndi, kemi të bëjmë me grup të mirë organizuar që ka shkathtësi për përdorim të mjeteve shpërthyese
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në konferencën e jashtëzakonshme për media ka dhënë detaje të aksionit të sotëm policor, i zhvilluar pas tri rasteve të sulmeve terroriste në veri të vendit. Ai rastin e mbrëmshëm e ka cilësuar si më të rëndin ndonëse përmendi se sa sfiduese është përballja me sulme të vazhdueshme…
Lajme
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në konferencën e jashtëzakonshme për media ka dhënë detaje të aksionit të sotëm policor, i zhvilluar pas tri rasteve të sulmeve terroriste në veri të vendit.
Ai rastin e mbrëmshëm e ka cilësuar si më të rëndin ndonëse përmendi se sa sfiduese është përballja me sulme të vazhdueshme që po ndodhin nga bandat kriminale.
“Më 29 nëntor 2024, rasti i sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës në fshatin Varagë, Uglarë, Zubin Potok, kishte për shënjestër kanalin e Ibër Lepencit i cili bën furnizimin me ujë të pijshëm për disa komuna, por edhe mbi të gjitha, furnizimin me ujë për ftohje të KEK-ut. Për realizimin e këtij sulmi terrorist, konsiderohet se është përdorur një sasi prej 15-20 kg eksploziv, e cila ka qenë e vendosur në një çantë të zezë, e cila është aktivizuar me detonator mekanik përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme”, deklaroi Hoxha.
Ai tha se rasti i fundit terrorist, për nga mënyra e organizimit dhe ekzekutimit, por edhe identifikimit dhe shënjestrimit të caqeve të sulmeve, është e qartë se kemi të bëjmë me një grup të mirë organizuar i cili ka njohuri dhe shkathtësi për përdorim të mjeteve shpërthyese.
Aksionet pas sulmit siç bën të ditur edhe vet drejtori i PK-së janë zhvilluar edhe në bashkëpunim me AKI-në.
Ai tha se janë identifikuar disa persona të dyshuar të mundshëm, si nxitës të akteve të dhunës, organizatorë apo edhe ekzekutues të këtyre sulmeve terroriste.
Ndërkaq, kujtojmë se numri i të arrestuarve sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla të vendit është tetë./Lajmi.net