Drejtori i Doganës së Kosovës diskuton planin e punës për 2026 me anëtarët e Odës Amerikane
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka mbajtur sot një takim me anëtarët e saj, ku i ftuar ishte Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu. Në fokus të takimit ishte plani i punës i Doganës për vitin 2026, si dhe forcimi i bashkëpunimit me sektorin privat. Në hapje të takimit, Drejtori Ekzekutiv i…
Lajme
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka mbajtur sot një takim me anëtarët e saj, ku i ftuar ishte Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu. Në fokus të takimit ishte plani i punës i Doganës për vitin 2026, si dhe forcimi i bashkëpunimit me sektorin privat.
Në hapje të takimit, Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, vlerësoi lart partneritetin ndërmjet dy institucioneve dhe përgëzoi Doganën e Kosovës për reformat e vazhdueshme ndër vite, duke e cilësuar atë si një ndër institucionet më të avancuara homologe në rajonin e Ballkanit, raporton lajmi.net
Drejtori i Përgjithshëm i Doganës, Agron Llugaliu, prezantoi synimet kryesore të institucionit për lehtësimin e tregtisë dhe mbështetjen e sektorit privat, në përputhje me kornizën ligjore. Ai theksoi se të gjithë treguesit e performancës për vitin 2025 kanë shënuar përmirësim krahasuar me vitet paraprake, duke përmendur edhe rritjen e numrit të zyrtarëve doganorë si reflektim të përmirësimit të shërbimeve.
Në kuadër të lehtësimit të tregtisë, Llugaliu njoftoi për inaugurimin e një skaneri të ri në vendkalimin kufitar në Merdare, donacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe për funksionalizimin e skanerëve të tjerë gjatë këtij viti. Ai veçoi gjithashtu zgjerimin e vendkalimit doganor në Vërmicë si një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore, duke pasur parasysh se përmes këtij pikëkalimi përpunohet vëllimi më i madh i shkëmbimeve tregtare.
Duke folur për zbatimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për tarifa zero për mallrat me origjinë amerikane, Llugaliu bëri të ditur se Dogana është duke analizuar praktikat më të mira ndërkombëtare për përcaktimin e origjinës së mallrave, me mbështetjen e Programit për Zhvillimin e të Drejtës Komerciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (CLDP).
Gjatë takimit u diskutuan edhe sfidat specifike me të cilat përballen ndërmarrjet private, për të cilat u zotua se do të trajtohen dhe zgjidhen brenda kuadrit ligjor, duke u theksuar rëndësia e vazhdimit të dialogut të sinqertë ndërmjet sektorit publik dhe atij privat./Lajmi.net/