Drejtorë e këshilltarë politik, 14 zyrtarët publik që nuk deklaruan pasurinë dhe arsyet që çuan në mosdeklarim

Lajme

22/06/2022 09:13

Gjatë javës së kaluar, Agjencia Kundër Korrupsionit ka publikuar pasurinë e shumë prej zyrtarëve shtetërorë.

Deklarimin e pasurisë në kuadër të Agjencisë Kundër Korrupsionit e kishin bërë tashmë edhe drejtuesit më të lartë të vendit, siç janë Presidentja, Kryeministri e Kryeparlamentari.

Pavarësisht kësaj, pati edhe të tillë që nuk e bën publike pasurinë e tyre, duke përfshirë këtu të hyrat vjetore, pasurinë e paluajtshme, apo kreditë e shumta bankare.

Lidhur me këtë, lajmi.net ka kontaktuar Agjencinë Kundër Korrupsionit, nga ku është rikonfirmuar se 14 zyrtarë shtetërorë nuk e kanë deklaruar pasurinë.

Sipas Agjencisë Kundër Korrupsionit, në mesin e arsyeve për mosdeklarim ishin të ndryshme.

AKK nga të dhënat zyrtare që i posedojnë thonë se tri raste të cilët nuk kanë deklaruar pasurinë gjenden në paraburgim, tetë të tjerë janë raste në procedurë të trajtimit kurse dy të tjera janë përcjellur për kallëzime penale.

“Nga të dhënat qe posedojmë, tri raste gjenden në paraburgim, 8 raste janë në procedurë të trajtimit, për 2 raste janë përcjellë kallëzime penale, ndërsa për 1 rast është dërguar një informatë në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.”, thuhet në përgjigjen e AKK-së.

Ndërsa lidhur me këtë situatë të krijuar, nga Agjencia Kundër Korrupsionit kanë deklaruar se ndërmarrin veprime konform legjislacionit në fuqi dhe vetëm pas mbledhjes dhe sigurimit të informatave për këta zyrtarë.

“AKK ndërmarr veprime konform legjislacionit në fuqi vetëm pas mbledhjes dhe sigurimit të informatave për zyrtarët e lartë, pra vetëm bazuar në dëshmitë dhe informatat e siguruara.”

E sipas AKK-së, të dhënat për deklarim apo jo të pasurisë janë siguruar dhe publikuar brenda afateve kohore dhe ligjore.

“Të dhënat për zyrtarët e lartë që nuk e kanë deklaruar pasurinë brenda afateve ligjore, janë siguruar dhe publikuar brenda afateve ligjore nga AKK”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga AKK.

Në kuadër të zyrtarëve të cilët nuk kanë deklaruar pasurinë janë: Valon Osmani, Këshilltar Politik i zv/kryeministrit Besnik Bislimi.

Laszlo Domjan, Këshilltar i Jashtëm Politik i Zëvendëskryeministrit të parë, Omer Baliq, Këshilltar Politik i zv/kryeministres së tretë.

Inva Mula, anëtare e Këshillit Përgatitor për inicimin dhe funksionalizimin e Institucionit të Operës së Kosovës.

Srdan Popoviq,  Këshilltar i Jashtëm Politik. Arian Zeka, nënkryetar i KD-AKK (Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve.)

Gani Jashanica, në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Sasa Iliq, zv/kryesues i Bordit të Përkohshëm Menaxhues (Inex Sharr Planina) në kuadër të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Ivan Mitkoviq, Drejtor i Drejtorisë Komunale në Ranillug, Hamide Luma nga Kuvendi Komunal në Kaçanik, Lejla Muhaxheri Çaka, Kuvendi Komuanl i Kaçanikut.

Donjetë Shijaku, Kuvendi Komunal i Malishevës.

Sasa Milosavljeviq, Drejtor i Zhvillimit Ekonomik-Kuvendi Komunal i Shtërpcës si dhe Dimitrije Raciceviq, Drejtor i Urbanizmit-Komuna e Shtërpcës.

Të gjithë zyrtarët e lartcekur nuk kanë deklaruar pasurinë e tyre në kuadër të Agjencisë Kundër Korrupsionit.

E një ditë pas publikimit të pasurisë, në AKK është tërhequr shorti për kontrollin e pasurisë.

Në këtë short ishin emra të njohur si kryeministri Albin Kurti, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, deputeti Behgjet Pacolli, ministri i Bujqësisë Faton Peci e shumë zyrtarë të tjerë.

Të njëjtëve do t’u hetohet pasuria e deklaruar, në mënyrë që të dihet se sa përkon kjo pasuri me deklarimin.

Ndër vite deklarimi i pasurisë nuk është bërë siç duhet. Në disa raste s’janë deklaruar fare, e në disa të tjerë pati edhe zyrtarë që bënë deklarime gjysmake.

Kësisoj vazhdimisht është bërë thirrje për deklarim të pasurisë, në mënyrë që të ketë sa më shumë korrektësi në këtë drejtim. /Lajmi.net/