Dredhia e Marko Gjuriqit, në minutat e fundit ndryshon agjendën – Kosova ia ndalon hyrjen

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës (MPJ), e ka refuzuar ndryshimin e agjendës së Marko Gjuriqit.

Lajme

27/06/2019 18:59

Për ditën e nesërme ishte paraparë që drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq dhe ministri serb i Arsimit, Mladen Sharçeviq, të vizitojnë kampusin e të vetëashtuquajturit Universiteti i Prishtinës, në veri të Mitrovicës, raporton lajmi.net.

Mirëpo, në momentin e fundit, ka qenë Gjuriq ai që e ka ndryshuar agjendën e tij dhe ka kërkuar nga autoritetet kosovare që t’ia mundësojnë vizitën edhe në tre lokacione të tjera.

Por, një kërkesë të tillë të Gjuriqit e ka refuzuar Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe në këtë mënyrë Gjuriq dhe Sharçeviqit nuk mund të shkojnë në lokacionet e tjera që i kanë kërkuar.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, Jetlir Zyberaj, këshilltar politik i ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli.

“Gjuriq e kishte bërë një kërkesë dje ku ka qenë e paraparë vetëm një lokacion për të zhvilluar vizitë, sot e ka ndryshuar agjendën i ka shtrua r edhe tri lokacione tjera. Ndryshimi i agjendës nuk është pranuar dhe ai ka lejen që të vizitojë vetëm kampusin e Universitetit në Mitrovicë, ku e ka paralajmëruar dje. Lokacionet tjera i janë refuzuar për shkak të ndryshimit të agjendës dhe rrjedhimisht nuk mund të shkojë”, ka deklaruar Zyberaj për lajmi.net.

Ai po ashtu ka thënë se Gjuriq dhe të gjithë zyrtarët serbë duhet t’i respektojnë rregullat e Kosovës.

“Duhet i respektu rregullat Gjuriqi, duhet t’i lajmëroj më herët autoritetet kosovare”, ka deklaruar Zyberaj.

Vizita e Gjuriqit dhe Sharçeviq ishte e planifikuar të bëhej në kuadër të “katastrofës humanitare” në veri të Mitrovicës. /Lajmi.net/