Drashkoviq: Vrasja e 6 fëmijëve serbë në Pejë u krye nga regjimi i Millosheviqit dhe UDB-ja
Ish-politikani dhe shkrimtari serb Vuk Drashkoviq ka thënë se Kisha Ortodokse serbe nuk e ka dënuar asnjë krim që kanë kryer serbët, duke nisur nga luftërat që çuan në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Në një bisedë për emisionin “Pa censurë”, Drashkoviq tha se Kisha ortodokse serbe madje nuk kishte dënuar as vrasjen e të rinjve serbë…

Lajme
Ish-politikani dhe shkrimtari serb Vuk Drashkoviq ka thënë se Kisha Ortodokse serbe nuk e ka dënuar asnjë krim që kanë kryer serbët, duke nisur nga luftërat që çuan në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.
“Atë që e kam thënë, çfarë është edhe më shqetësuese, Kisha jonë nuk e ka dënuar asnjë krim të vetëm që e kanë kryer serbët, në ato lufta ku edhe u vra Jugosllavia. Nuk e ka dënuar as krimin e madh ndaj Ukrainës, madje nuk e ka dënuar as vrasjen e fëmijëve tanë në kafenenë ‘Panda’ në Pejë. Fëmijët tanë u vranë nga Wehrmachti më 1941 në Kragujec dhe nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit e UDBA më 1998 në kafenenë ‘Panda’ në Pejë. Pse? Që krimi – krim i tmerrshëm, vrasja e gjashtë fëmijëve serbë në kafene – t’i atribuohej shqiptarëve dhe të rritej urrejtja në Serbi ndaj shqiptarëve. Ky ishte qëllimi”, tha Drashkoviq.
Më 14 dhjetor të vitit 1998 persona të armatosur kishin hyrë në kafenenë “Panda” në Pejë” dhe kishin vrarë gjashtë të rinj serbë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një deklaratë për “TV Pink” afro 11 vjet më parë – në kohën kur nuk e mbante postin e presidentit – kishte thënë se nuk ka prova se krimi ishte kryer nga shqiptarët.
“Ka shumë gjëra të tmerrshme me të cilat duhet të përballemi, siç është vrasja e serbëve në kafenenë ‘Panda’ në Kosovë dhe M. më 1998, për të cilën nuk ka prova se është kryer nga shqiptarët, siç besohej”, tha Vuçiq atëbotë.
Prokuroria publike për krim të organizuar në Serbi kishte pranuar një kërkesë për ta marrë në pyetje presidentin e Serbisë, Vuçiq, në cilësinë e dëshmitarit, lidhur me rastin “Panda” në fund të gushtit të vitit 2023.
Kërkesa ishte bërë në emër të prindërve të viktimave nga avokati Ivan Niniq.
Në kërkesën drejtuar Prokurorisë për krim të organizuar, avokati Niniq ka thënë se prindërit e viktimave kërkojnë që Vuçiqi të dëgjohet për rastin “Panda” në lidhje me deklaratat që kishte bërë disa herë për media, nga viti 2013 deri më 2018.