Drama e familjes katëranëtarëshe, jetojnë mes sëmundjes dhe skamjes (FOTO)

Sëmundja dhe varfëria kanë pushtuar dhomën ku jeton familja e Ramadan Bucollit në lagjen “Kodra e trimave” në Prishtinë. Ai u është nënshtruar disa operacioneve pas diagnostifikimit me sëmundjen e kancerit. Edhe bashkëshortja e tij vuan nga sëmundja e këmbëve. Ata ankohen se për shkak të sëmundjes së rëndë dy vajzat e vogla s’po mund t’i ngopin me bukë e as t’u sigurojnë veshmbathje

Lajme

17/06/2017 09:00

Çdo ditë bën rreth 10 kilometra rrugë në këmbë për të shkuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) që ta marrë terapinë për sëmundjen e kancerit, me të cilën është diagnostifikuar tash e sa muaj.

Gjendja e rëndë ekonomike me të cilën përballet nuk ia mundëson t’i hipën as autobusit. Për t’i kursyer 80 centë vajtje-ardhje Ramadan Bucolli shkon në këmbë nga lagjia “Kodra e trimave” në Prishtinë çdo ditë dhe merr infuzionin me terapi në Repartin Onkologjik të QKUK-së dhe kthehet këmbë po ashtu në barakën e improvizuar si shtëpi, ku jeton me gruan dhe dy fëmijët e tij.

Po ashtu dy ditët tjera gjatë vikendit, kur i nënshtrohet rrezatimit pas terapisë, vepron ngjashëm, ecën këmbë, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Mirvetja, që po ashtu vuan nga një sëmundje e këmbëve.

Sëmundja e kancerit thotë se ia ka mbytur fuqinë për të punuar dhe siguruar të ardhura për fëmijët e tij. Familja Bucolli jeton vetëm me të ardhurat e ndihmës sociale që ka filluar t’i marrë tre muajt e fundit pas një sërë kërkesash e ankesash që kanë bërë për gjendjen në të cilën ndodhen.

Tani ky social është i vetmi burim për të pasur bukë, për t’i paguar rrymën e blerë barërat…E që nuk mjafton të ngopen me bukë dhe kjo familje jeton me shpresë se dikush mund t’ua ndajë vitrat (ndihma që ndahen sipas rregullit fetar islam) t’ua sjellë e që të mos mbesin pa ushqim.

Gjithçka që kjo familje e goditur nga kanceri dhe skamja pret është një shtëpi, qoftë dhe një dhomë që ka dritare ku depërton drita dhe ajri nuk mbytet nga myku. “Të burgosur” në këtë barakë bashkë me varfërinë ata nuk janë vizituar nga institucionet për t’u përkrahur./Zëri

 

Image

Image

Image