Dosja e paraprake e ZPS-së në rastin e Thaçit dhe tjerëve kundër administrimit të drejtësisë: Fazliu tentoi të ndikojë në dëshminë e Remit

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është publikuar dosja paraprake e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), e cila është dorëzuar në rastin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, në rastin kundër administrimit të drejtësisë. Sipas Prokurorisë, të paktën nga 12 prilli 2023 deri më 2…

Lajme

09/10/2025 09:57

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është publikuar dosja paraprake e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), e cila është dorëzuar në rastin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, në rastin kundër administrimit të drejtësisë.

Sipas Prokurorisë, të paktën nga 12 prilli 2023 deri më 2 nëntor 2023, Thaçi, Smakaj, Fazliu, Kilaj dhe Kuçi i kanë bashkërenduar veprimet brenda grupeve të përbashkëta, në mënyrë që të ndikojnë në dëshmitarët e rastit në të cilin Thaçi së bashku me Jakup Krasniqin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Prokuroria e përshkruan Thaçin si udhëheqës dhe organizator i këtyre grupeve, të cilat pretendohet se i ka drejtuar nga paraburgimi në Hagë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për Fazliun, Smakajn dhe Kilajn, Prokuroria thotë se kanë luajtur rol kyç në përmbushjen e qëllimit të pengimit të drejtësisë duke u koordinuar individualisht me Thaçin gjatë vizitave, kështu duke marrë edhe udhëzime përkatëse.

Ndërsa për Kuçin, Prokuroria thotë se derisa shërbente në ekipin mbrojtës të Veselit, e ka vizituar Thaçin në paraburgim, e që ka rënë dakord të kontaktojë në mënyrë të paligjshme me dëshmitarë dhe i ka dhënë vetë sugjerime Thaçit lidhur me mënyrën e ndërhyrjes në dëshmi.

Prokuroria: Grupi Fazliu pretendohet se tentoi të ndikojë në dëshminë e Rrustem Mustafës- Remit

Sipas Prokurorisë, më 2 korrik 2023, Fazliu e ka vizituar Thaçin, e që janë koordinuar që të ndikojnë në dëshminë e Rrustem Mustafës. Si rrjedhojë, ishte rënë dakord që Fahri Fazliu, djali i Fadil Fazliut ta kontaktojë Remin në mënyrë që ta caktojë një takim për t’i përcjellë udhëzimet e Thaçit pak para dëshmisë së tij.

Fillimisht, Prokuroria më 24 maj 2023, e kishte informuar mbrojtjen se në korrik do të dëshmonte Remi, ndërsa më 8 qershor Fazliu kishte kërkuar vizitë tek Thaçi për datën 2 korrik.

Ndërsa, më 21 qershor, Prokuroria e ka njoftuar mbrojtjen se Remi do të ishte dëshmitari i dytë gjatë bllokut të seancave të korrikut.

Më tej, thuhet se më 26 qershor, djali i Fazliut, Fahriu e kishte kontaktuar Remin përmes WhatsApp-it, duke i kërkuar atij të takohej me të dhe me babanë e tij në një lokal në Prishtinë.

Sipas Prokurorisë, Remi kishte thënë se do ishte i lumtur të takohej por që në atë kohë ndodhej në Kavajë. Thuhet se Fahri Fazliu kishte sugjeruar që takimi të ndodhte pas kthimit të Remit nga atje. E më 29 qershor, Remi e kishte njoftuar Fahri Fazliun se ishte kthyer në Prishtinë dhe se ishte i lirë të takoheshin. Takimi pretendohet se ka ndodhur.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, përmes Dortmundit të Gjermanisë, Fadil Fazliu kishte udhëtuar drejt Hagës një ditë pas takimit të Remit me djalin e tij (Fazliut). Ndërsa, më 2 korrik kishte ndodhur vizita, në të cilën fillimisht ishte folur për çështje personale. Mandej, thuhet se ishte folur për çështjen e Salih Mustafës deri tek zhvillimet në rastin e Thaçit për krime lufte, për dëshmitarët për të cilët thuhet së është përdorur edhe gjuhë denigruese.

Fazliut iu ishin dhënë informacione konfidenciale, duke përfshirë statusin e një dëshmitari, dhe Nuredin Ibishit.

Sipas Prokurorisë, Thaçi e kishte përshkruar edhe dëshminë e një dëshmitari të mbrojtur, por që kjo pjesë është e redaktuar.

Megjithatë, thuhet se Thaçi dha udhëzime për t’ia përcjellë Remit se si duhej të dëshmonte.

Prokuroria pretendon se Thaçi e kishte udhëzuar Remin që të ekzagjeronte autoritetin e tij si komandant i Zonës Operative dhe duke minimizuar lidhjen e tij me hierarkinë e UÇK-së.

Thaçi pretendohet se e udhëzoi Remin që të thoshte se ishte i pakënaqur me hierarkinë e UÇK-së sepse nuk e ndihmuan dhe as nuk dinin si të ndihmonin me para dhe logjistikë. Madje, thuhet se Remi u udhëzua që të thoshte se nuk është konsultuar me ata dhe se nuk i është dhënë ndonjë urdhër. Po ashtu, thuhet se Remi u udhëzua që të theksonte ndikimin politik të Adem Demaçit.

THAÇI gjithashtu udhëzoi që Dëshmitari 1 të theksonte ndikimin e përfaqësuesit politik të UÇK-së, Adem DEMAÇI, duke e drejtuar që të thoshte se “’shefi ishte DEMACI [Nuk kuptohet], duhet ta thotë qartë, sepse çfarë është [Nuk kuptohet] Baca Adem”, thuhet në dokumentin e Prokurorisë.

Veç kësaj, Remit i ishte kërkuar që të minimizonte rëndësinë e komunikatave të UÇK-së, të mohonte ekzistimin e shërbimit të inteligjencës gjatë luftës si dhe të theksonte rolin e tij në emërimin e Policisë Ushtarake, pretendohet sipas Prokurorisë.

Remit i ishte kërkuar që të jetë i shkurtë në dëshminë e tij nga frika se ‘mos rrëshqiste’ dhe të ‘dilte si hero’.

THAÇI dha gjithashtu udhëzime për mënyrën se si Dëshmitari 1 duhej të dëshmonte, duke udhëzuar në veçanti që Dëshmitari 1 “të ishte i shkurtër” nga frika se mos “rrëshqiste”; të përgjigjej në një mënyrë të caktuar kur t’i tregohej një provë e veçantë; dhe “të dilte prej këtu si hero”, duke e udhëzuar FAZLIUN të “thuaj: Ti po vjen këtu, dil nga ky vend si hero. Mos dil me turp’”, thuhet në dokument.

Në vizitën me Fazliun, Thaçi po ashtu pretendohet se e kishe përmendur rëndësinë vendimtare të dëshmisë së Remit, duke kërkuar që të bindej ai që të dëshmonte sipas udhëzimeve. Madje, thuhet se ka paralajmëruar për pasojat potenciale serioze nëse Remi nuk do të vepronte siç i ishte thënë.

Ndër informacionet konfidenciale që Thaçi i kishte ndarë me Fazliun për Remin, ZPS thotë se ai i kishte treguar se Latif Gashi i njohur si “Lata” nuk ishte i përfshirë në listën e dëshmitarëve të Prokurorisë.

Prokuroria pretendon se gjatë kësaj bisede, Thaçi kishte thënë që në rast që Remi vepron si duhet- atëherë do t’i ndalte edhe të tjerët si Lekën (nofkë kjo e Nuredin Ibishit) për të cilin mbrojtjes iu ishte bërë e ditur se ai do të jepte dëshmi.

Thaçi thuhet se e kishte udhëzuar Fazliun që Remin mos ta kontaktonte drejtpërdrejt, ky i fundit kishte thënë se do ta bënte përmes djalit të tij, Fahriut. Thuhet se Thaçi gjatë këtij takimi kishte përdorur zë të ulët dhe se ata e dinin që vizitat fizike monitorohen prej zyrës së Qendrës së Paraburgimit.

Më 3 korrik, thuhet se Fazliu u kthye në Prishtinë dhe pasdite djali i tij shkëmbeu mesazhe me Remin për t’u takuar.

Më 6 dhe 11 korrik 2023, kishte filluar dëshminë Remi në këtë rast dhe e përfundoi më 18 korrik. Ndërsa, më 18 nëntor, Remi ishte thirrur nga ZPS-ja për një intervistë lidhur me përpjekjet për të ndikuar në dëshminë e tij.

Remi kishte thënë se askush s’kishte ndërhyrë në dëshminë e tij dhe se tashmë ai ka dëshmuar për ngjarjet e luftës si dhe refuzon që të përgjigjet për çdo pyetje tjetër.

Ndërsa, kur iu ishte shpjeguar se intervista kishte të bënte për qershorin e 2023-ës dhe provat nga telefoni lidhur me kontaktin që iu ishte bërë dhe jo për ngjarjet e luftës, Remi kishte thënë se e kuptonte se çfarë po e pyeste Prokuroria dhe se personat në fjalë i ka miqtë e tij dhe vazhdon t’i shoh ata. Sipas Prokurorisë, Remi e kishte shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.

“Betimi për Drejtësi” në vazhdim sjell detajet e Dosjes së Prokurorisë për pretendimet se të akuzuarit tentuan të ndikojnë në dëshminë e Sylejman Selimit dhe Bislim Zyrapit.

Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.