Dorëheqje, jo shkarkim i Rektorit
Behxhet Shala nga KMLDNJ thotë se përgjegjësit e skandaleve në UP duhet tw japin dorëheqje, e jo të shkarkohen. Numri i protestuesve është rritur dhe në përkrahje të studentëve u janë bashkuar edhe disa qytetarë.
Lajme
Protestat e studentëve para Rektoratit po vazhdojnë edhe sot, por për dallim nga dje, protesta sot duket të jetë më e qetë.
Studentët po kërkojnë dorëheqjen e Rektorit Ibrahim Gashi, pas skandaleve të fundit që plasën në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Në përkrahje të studentëve protestues, ka dalë edhe Drejtori i KMLDNJ’së, Behxhet Shala. Ai thotë se KMLDNJ përkrahë kërkesat e studentëve, sepse edhe a kishin kundërshtuar emërimin e Rektorit Ibrahim Gashi, pasi që kjo ishte bërë me marrëveshje politike.
“Ne qëndrojmë prapa kërkesës së studentëve”.
“Ne edhe sot po e përcjellin situatën. Ajo është e qetë. Policia si duket nuk ka disponim për të vepruar, ndonëse një urdhër nga lartë do të mund t’i detyrojnë të intervenojnë”.
“Ne si KMLDNJ edhe një herë e patëm kundërshtuar emërimin e Ibrahim Gashi si Rektor, sepse ka qenë një marrëveshje politike e cila nuk do të duhej të praktikohej kur të zgjidhet Rektori”.
“Për këtë arsye ne mendojmë se protestat janë të drejta sidomos pas skandalit që u zbulua kohëve të fundit”.
Behxhet Shala thotë se të gjithë personat e përfshirë në skandalet e fundit në UP duhet të japin dorëheqje e jo të shkarkohen. Ai kërkon që në këtë rast të mbizotërojë morali.
“Mendoj se duhet të mbizotërojë moralja dhe ata që janë përgjegjës duhet të largohen nga ky post”.
“Ata duhet të japin dorëheqje e jo të shkarkohen”.
Behxhet Shala tha se intervenimi i djeshëm i Policisë kishte kaluar caqet, anipse ata ishin munduar që t’i iknin dhunës së tepruar.
Ai kërkon që skena si të ditës së djeshme, kur Policia gjatë arrestimit ushtronte dhunë, duke vendosur edhe gjurin në qafë, të mos përsëriten.
“Intervenimi i djeshëm i Policia i ka kaluar caqet por nuk ka pasur pasoja për studentët”.
“Mendoj që Policia dje ka bërë përpjekje maksimalisht që ti ikë dhunës së tepruar, mirëpo mendoj se në rastin kur arrestohet dikush nuk ka nevojë të zhagitet dhe t’i qitet gjuri në qafë”.
“Jemi duke e bërë një raport për ditën e djeshme, e kemi vizituar edhe dje qendrën e ndalimit, por të arrestuarit kanë qenë duke u marrë në pyetje nga Prokurori dhe të gjithë janë liruar”.
“Tani edhe studentët janë sjellë edhe policia po sillet mirë dhe jemi duke pritur” –tha Behxhet Shala.
Numri i protestuesve është rritur. Në përkrahje të kërkesave të studentëve kanë dal edhe disa qytetarë, ku në mesin e tyre shihen edhe një numër i njerëzve të moshuar.