Dorasi dhe viktima nga ngjarja e mbrëmshme tragjike në Prishtinë ishin djemtë e aktorit të njohur kosovar

Një ngjarje e rëndë u raportua të ketë ndodhur mbrëmë në Prishtinë. Zyrtarë të shumtë policorë u deshën të zbarkonin në rrugën “Tirana” në kryeqytet, për shkak të një krimi që ndodhi në këtë vend. Për motive ende të panjohura i dyshuari Gent Myftari theri me thikë vëllain e tij, Auron Myftarin. Si shkak i…

Lajme

28/10/2024 14:12

Një ngjarje e rëndë u raportua të ketë ndodhur mbrëmë në Prishtinë.

Zyrtarë të shumtë policorë u deshën të zbarkonin në rrugën “Tirana” në kryeqytet, për shkak të një krimi që ndodhi në këtë vend.

Për motive ende të panjohura i dyshuari Gent Myftari theri me thikë vëllain e tij, Auron Myftarin.

Si shkak i goditjeve të shumta që mori, Auron Myftari nuk arriti t’u bëjë ballë plagëve të marra.

Në lidhje me këtë rast, nga Policia e Kosovës bën të ditur se të dyshuarin e kanë arrestuar pas trajtimit që mori në Klinikën Emergjente në QKUK.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që me mjet të mprehtë-thikë kishte goditur disa herë viktimën mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes, njësia e Urgjencës ka bërë konstatimin e vdekjes së viktimës si dhe të dyshuarit i është dhënë tretman mjekësor pasi kishte lëndime trupore. Në vendin e ngjarjes kanë dal edhe prokurori kujdestar dhe njësia e IML-së. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë”.

Kurse nga Prokuroria kanë njoftuar të ditur se deri më tani nuk janë bërë të ditura arsyet që kanë çuar deri tek kjo tragjedi e ndodhur mbrëmë.

“Prokurorja kujdestare ka dalë në vendin e ngjarjes dhe së bashku me hetuesit policor kanë ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me urdhër të prokurorit të shtetit është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes nga Policia e Kosovës, po ashtu me urdhër të Prokurorit trupi i pa jetë i gjetur në vendin e ngjarjes është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për të iu bërë Autopsia”, thuhet në njoftimin për media.

Gent Myftari- Dorasi                                                                                              Auron Myftari-Viktima

Po ashtu u tha se rasti penal është filluar në drejtim të veprës penale “Vrasja e Rendë” si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” ku në këtë rast me vendim të prokurorit është ndaluar një person, transmeton lajmi.net.

“Motivet dhe rrethanat tjera për momentin janë të panjohura por të njëjtat do të kuptohen gjatë hetimeve të cilat do të zhvillohen nga kjo Prokurori”, theksohet tutje.

Po ashtu u tha se brenda afatit ligjor Prokurori i shtetit do të paraqes pranë gjykatës kompetente kërkesën për caktimin e masës së sigurisë për të dyshuarin për këtë rast.

E viktima dhe dorazi në këtë rast janë vëllezër të regjisorit të njohur kosovar, Agron Myftari. Ata vinin nga familja artistësh, pasi ishin djemtë e aktorit të njohur Hazir Myftari.

Kurse Agron Myftari përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se nesër i jepet lamtumira e fundit Auronit.

Ai do të varroset tek varrezat në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, ndërsa nuk janë hapur të pame.

“Ju njoftojmë se varrimi i Auron (Hazir) Myftarit do të bëhet nesër (29 tetor 2024) me namazin e drekës (ora 12:00), në varrezat e qytetit në Arbëri. Njëkohësisht, ju njoftojmë se për shkak të rrethanave, familja nuk do të hapë të pame. Pritja do të bëhet vetëm në varreza.” – shkroi Myftari./Lajmi.net/