Doracakët për “Edukimin Seksual”, Bajrami-Kurtit: Autorësinë e ka marrë Nagavci, i ka prezantuar si arritje të ministrisë

U akuzua nga kryeministri Kurti se doracakët për “Edukatën Seksuale” të shumë përfolur javën që lamë pas u miratuan nga ajo në kohën kur udhëhiqte me Ministrinë e Arsimit, ish-ministrja nën drejtimin e së cilës ishte kjo ministri atë kohë, Hykmete Bajrami ka një kundërpërgjigje. Përmes një video, deputetja e LDK-se i ka thënë Kurtit…

Lajme

19/11/2024 12:32

U akuzua nga kryeministri Kurti se doracakët për “Edukatën Seksuale” të shumë përfolur javën që lamë pas u miratuan nga ajo në kohën kur udhëhiqte me Ministrinë e Arsimit, ish-ministrja nën drejtimin e së cilës ishte kjo ministri atë kohë, Hykmete Bajrami ka një kundërpërgjigje.

Përmes një video, deputetja e LDK-se i ka thënë Kurtit të cilit i është referuar si “Albin inxhinieri” se autorësinë e doracakëve e ka marrë ministrja Arbërie Nagavci dhe se i ka prezantuar si arritje të ministrisë.

“Sa ju përket doracakëve për “edukatën seksuale” nuk ka asnjë dokument dhe asnjë postim me emrin tim, POR ministrja e Albinit Arbërie Nagavci tashmë me zë e me figurë ka marrë autorësinë e këtyre dokumenteve dhe i ka shitë si arritje të ministrisë”, thotë ajo, duke nxjerrë edhe një video ku Nagavci flet në Kuvend për këta doracakë.

“Kurrikulat tona të cilat i kemi miratuar kanë të bëjnë me edukimin dhe mirë edukimin e të gjitha vajzave dhe djemve”, shtoi ajo tutje.

Ky dokument, Bajrami thotë se ka qenë kërkesë, por jo vendim, derisa u ka kërkuar Qeverisë që të publikojnë dokumentin për miratimin e këtyre doracakëve.

Bajrami thotë se nëse ajo konsiderohet përgjegjëse për një dokument që nuk është në emrin e saj apo të kabinetit, atëherë po aq përgjegjës është edhe Kurti./Lajmi.net