Donika Gërvalla në mbështetje të Fatmir Sejdiut për kryetar të LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës, këtë të diel mbanë Kuvendin Zgjedhor ku do të zgjedhë organet e reja drejtuese duke përfshirë edhe kryetarin për një mandat katërvjeçar. Gara për të parin e LDK-së pritet të jetë shumë e fortë, pasi përveç liderit aktual Isa Mustafa, kandidat pritet të jenë edhe Vjosa Osami, Lutfi Haziri, dhe ish kryetari Fatmir Sejdiu.

Lajme

29/05/2015 17:54

Ky i fundit ende është në mëdyshje për të paraqitur kandidaturën e tij apo jo, por burime të lajmi.net, bëjnë të ditur se Fatmir Sejdiu ka marrë mbështetjen edhe të Donika Gërvallës dhe grupit të saj, që ai të kandidoj për të marrë drejtimin e LDK-së në katër vitet e ardhshme.

Ky burim ka bërë të ditur se javën e fundit Gërvalla ka kaluar shumë kohë me Sejdiun dhe është duke u munduar ta bind që t’i hyjë garës për kryetar partisë së dytë më të madhe në vend.

Gjatë kohës sa Sejdiu kishte qenë kryetar i LDK-së, Gërvalla kishte qenë mjaft kritike ndaj tij, mirëpo si duket ajo sërish ka afërsi më të madhe me Sejdiun se sa me liderin aktual të partisë, Isa Mustafa. (lajmi.net)