Donald Trump urdhëron hetime ndaj Richard Grenell
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka urdhëruar hetime ndaj ish bashkëpunëtorit të tij, Richard Grenell, lidhur me dyshimet për një marrëveshje financiare që përfshinte premtime për qasje te presidenti dhe zyrtarët e lartë amerikanë. Sipas një raportimi të mediumit amerikan Axios, të publikuar më 19 tetor, në qendër të hetimeve është një mesazh i pretenduar i…
Lajme
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka urdhëruar hetime ndaj ish bashkëpunëtorit të tij, Richard Grenell, lidhur me dyshimet për një marrëveshje financiare që përfshinte premtime për qasje te presidenti dhe zyrtarët e lartë amerikanë.
Sipas një raportimi të mediumit amerikan Axios, të publikuar më 19 tetor, në qendër të hetimeve është një mesazh i pretenduar i Grenellit drejtuar biznesmenit turk, Turhan Mildon, më 3 maj 2025.
Në mesazh pretendohet se Grenell i kishte ofruar biznesmenit mundësi pjesëmarrjeje në ngjarje ekskluzive dhe afrimitet me administratën amerikane, përfshirë presidentin Trump, në këmbim të një donacioni për qendrën kulturore Kennedy Center.
Grenell, i cili në atë periudhë drejtonte këtë institucion, ka mohuar akuzat dhe ka kundërshtuar autenticitetin e mesazhit.
Sipas Axios, Mildon pretendon se, me udhëzimin e Grenellit, ishin transferuar 17.6 milionë dollarë te kompania amerikane Texas Armament & Technology, me seli në Hjuston.
Nga kjo shumë, rreth 5.6 milionë dollarë pretendohet se ishin të destinuara për Kennedy Center. Megjithatë, sipas pretendimeve të paraqitura në Shtëpinë e Bardhë, institucioni nuk e kishte pranuar donacionin.
Rasti u ngrit para presidentit Trump nga Alina Habba, ish-avokate e tij dhe bashkëshortja e biznesmenit Mildon.
Habba kishte shkuar në Shtëpinë e Bardhë më 9 tetor, ku kishte paraqitur pretendimet ndaj Grenellit.
Pas kësaj, Trump i kishte kërkuar këshilltarit juridik të Shtëpisë së Bardhë, Will Scharf, të shqyrtonte akuzat dhe dokumentacionin përkatës.
Sipas raportimit, dokumentet e dorëzuara përfshijnë mesazhe dhe të dhëna financiare që po verifikohen nga zyra juridike e Shtëpisë së Bardhë.
Një zyrtar amerikan ka bërë të ditur se transferimi prej 17.6 milionë dollarësh rezulton të jetë kryer nga Ministria e Financave e Republikës Demokratike të Kongos, dhe jo drejtpërdrejt nga llogaria bankare e Mildonit.
Kjo ka ngritur pyetje shtesë për origjinën e parave dhe natyrën e marrëveshjes financiare.
Ndërkohë, Grenell i ka cilësuar pretendimet si të pavërteta, duke mohuar se kishte kërkuar transferimin e parave në ndonjë kompani private në emër të Kennedy Center.
Ai ka mohuar gjithashtu se kishte marrë pagesa nga biznesmeni turk.
Axios raporton se hetimet janë ende në fazën e mbledhjes dhe verifikimit të provave. Deri më tani, nuk është vërtetuar se Grenell ka kryer ndonjë shkelje.
Richard Grenell është i njohur edhe për angazhimin e tij në Ballkan. Ai kishte shërbyer si emisar special i presidentit Trump për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë mandatit të parë presidencial.
Grenell kishte luajtur rol në procesin që çoi te nënshkrimi i marrëveshjeve të Uashingtonit, më 4 shtator 2020, për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
https://www.axios.com/2026/10/19/kennedy-center-text-trump-grenell-habba