Dokument: Kurti megjithatë gëzon statusin e veteranit të UÇK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së fundmi riktheu edhe një herë debatin nëse ka qenë apo jo pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lajme

22/09/2021 21:16

Gjatë seancës së djeshme në Kuvendin e Kosovës, Kurti tha se për të vërtetuar nëse ka qenë ose jo pjesë e UÇK-së duhet të pyetet ish-komandanti i UÇK-së në Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi dhe ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sylejman Selimi.

“A ka qenë Adem Demaçi në UÇK? Eh, nëse ka qenë Adem Demaçi në UÇK, atëherë unë kam qenë sekretar i tij. Pyetni Sylejman Selimin dhe Rrustem Mustafën a kam qenë UÇK, të dy kanë qenë komandanta”, ka deklaruar Kurti, transmeton lajmi.net.

I pari që kishte deklaruar se Kurti ka qenë pjesë e UÇK-së, kishte qenë ish-komandanti i UÇK-së, Rrustem Mustafa, i cili kishte thënë se Kurtin e ka pasur bashkëluftëtar gjatë luftës.

Lajmi.net kishte raportuar më parë se Kurti gëzon statusin e veteranit të luftës.

Statusi i ishte njohur Kurtit më 2015 nga Komisioni Qeveritar për Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit apo të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kurti ishte radhitur i 19-ti nga 269 personat që iu kishte njohur ky status në atë kohë.

Në anën tjetër, edhe ish-komandanti i UÇK-së në zonën e Drenicës, Sylejman Selimi, ka konfirmuar se Albin Kurti ka qenë pjesë e UÇK-së, duke thënë se nuk i pëlqejnë debatet për këto çështje.

Kryeministri Kurti në një dokumentar që ishte shfaqur gjatë kohës së luftës, kishte deklaruar se në mes luftës dhe dorëzimit e preferon zgjidhjen pa dhunë, duke thënë se nuk do të kapte kurrë armë në dorë. /Lajmi.net/