‘Doku-Festi’ përçon në botë imazhin e Kosovës normale

Paulina Bukowsakas nga Polonia i janë dashur shumë argumente për t’i bindur prindërit dhe miqtë e saj se Kosova më nuk është një vend i rrezikshëm, dhe se në këtë shtet evropian gjendja është normale. 

Lajme

18/08/2014 10:46

Ka kaluar një javë prej se ajo ka ardhur në Prizren dhe është angazhuar si praktikante në festivalin e filmit dokumentar dhe të shkurtër “Doku-Fest”, duke u përkujdesur për imazhin e kësaj ngjarje në mediat sociale.

“Për fat të keq, kur e përmend Kosovën në Poloni njerëzit e perceptojnë si diçka të rrezikshme dhe ku mund të të ndodhë diçka e keqe. Prindërit e mi ishin të shqetësuar në fillim, por tani janë në rregull, ngase lajmërohem çdo ditë”, ka thënë Bokowska për numrin e sotëm të Kohës Ditore.

Ajo ka thënë se “Doku-Festi” ka qenë arsyeja kryesore që e ka bërë të përballet me kundërshtinë në rrethin e saj dhe të vije për disa javë në Kosovë.

“Kam punuar në festivalin e filmit në Krakow dhe aty kam dëgjuar për ‘DokuFestin’. Festivali në Prizren ka një ndikim të madh dhe tani edhe vet jam bindur se shumë mysafirë ndërkombëtarë vijnë këtu vetëm për këtë arsye, ndërkohë që njihen për së afërmi edhe me kulturën dhe shtetin e Kosovës në përgjithësi”.

Polakja e re është pjesëtare e një “armate” prej mbi 250 personazhesh që janë të angazhuar për mbarëvajtjen e festivalit.