Dogana sekuestron mbi 2,500 pako barnash pa banderola në një farmaci dhe një shtëpi në Prishtinë
Dogana e Kosovës ka sekuestruar gjithsej 2,559 pako barnash pa dokumentacion dhe pa banderola të Republikës së Kosovës, gjatë një aksioni të zhvilluar në Prishtinë. Sipas njoftimit të Doganës, njësitë kompetente, në bashkëpunim me Sektorin e Hetimeve, kanë kontrolluar një subjekt farmaceutik në kryeqytet, pas pranimit të një informate zyrtare. Gjatë kontrollit, në hapësirën e…
Lajme
Dogana e Kosovës ka sekuestruar gjithsej 2,559 pako barnash pa dokumentacion dhe pa banderola të Republikës së Kosovës, gjatë një aksioni të zhvilluar në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Doganës, njësitë kompetente, në bashkëpunim me Sektorin e Hetimeve, kanë kontrolluar një subjekt farmaceutik në kryeqytet, pas pranimit të një informate zyrtare.
Gjatë kontrollit, në hapësirën e tualetit të lokalit është zbuluar një pjesë e modifikuar, ku ishin fshehur 2,161 pako barnash pa dokumentacion mbulues dhe pa banderola RKS.
Me autorizim të prokurorit kompetent, kontrolli ka vazhduar edhe në një shtëpi banimi të ndërlidhur me rastin. Aty, në bodrum dhe në pjesë të tjera të objektit, janë gjetur edhe 398 pako të tjera barnash pa banderola të Republikës së Kosovës.
Në të dy lokacionet janë sekuestruar gjithsej 2,559 pako barnash.
Dogana ka bërë të ditur se malli është sekuestruar dhe evidentuar në dokumentacionin përkatës, së bashku me specifikacionet e sasive dhe emërtimet e barnave.
Vlera doganore e barnave të gjetura në subjektin farmaceutik është 15,112.84 euro, ndërsa në shtëpinë e banimit 5,633.10 euro. Në total, vlera doganore e mallit të sekuestruar arrin në 20,745.94 euro.
Rasti është duke u trajtuar në koordinim me prokurorin kompetent dhe institucionet përgjegjëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe tregtimit të paligjshëm të barnave, me synim mbrojtjen e shëndetit publik, konkurrencës së ndershme dhe interesave financiare të Republikës së Kosovës. /Lajmi.net/