Dogana nepaleze ngadalëson arritjen e ndihmave për viktimat e tërmetit

Ndihmat për të mbijetuarit e tërmetit në Nepal po vonohen në dogana, njoftuan Kombet e Bashkuara, që u bëjnë thirrje zyrtarëve vendas të lehtësojnë procedurat në kufi. Shefja e çështjeve humanitare, Valerie Amos e bëri të qartë se përshpejtimi i kontrolleve doganore për ngarkesat e ndihmave është detyrim.

Bota

03/05/2015 12:50

Si transmeton Top Channel, të shtunën, Baronesha Amos i kujtoi kryeministrit nepalez, Sushil Koirala, se vendi i tij ka firmosur një marrëveshje me OKB-në në vitin 2007 për verifikime më të shpejta doganore të ndihmave të dërguara në raste katastrofash natyrore.

“Nga kryeministri mora zotimin e tij se do të sigurohet që kjo marrëveshje të vihet në zbatim. Shpresoj që nga ky moment të shohim një përmirësim të çështjeve administrative”, tha Amos.

Të njëjtës ide i mëshoi edhe i dërguari i OKB-së në Nepal, Jamie McGoldrick, sipas të cilit qeveria nuk ka se si përdor edhe në një rast urgjent si ky të njëjtën metodologji doganore të zbatuar në kohë paqeje.

Të premten, autoritetet përkatëse hoqën taksat mbi tendat e mushamatë, por nga sa pohoi zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Laxmi Prasad Dhakal, të gjitha mallrat që vijnë nga jashtë duhen inspektuar. “Është diçka që ne duhet ta bëjmë patjetër”, citohet të ketë thënë ai.

Në terren, ndërkohë, shumë njerëz janë në pritje të ndihmave dhe pakënaqësia për vonesat është e madhe. Por zyrtarët nepalezë kanë ngritur edhe një tjetër shqetësim. Ata kritikojnë agjencitë e huaja të ndihmës për llojet e produkteve që janë duke dërguar.

“Kemi marrë artikuj të tillë, si konserva me peshk, ton apo majonezë. Për çfarë na duhen gjëra të tilla neve, këtu? Ne kemi nevojë për drithëra, për kripë e sheqer”, u shpreh ministri i Financave, Ram Sharan Mahat.

Sakaq, fati i mijëra banorëve në zonat e thella të goditura nga tërmeti i së shtunës së kaluar nuk dihet ende dhe, ndërsa operacionet e kërkimit janë shtrirë edhe në tre rajone të tjera, nuk përjashtohet mundësia që bilanci i viktimave të fatkeqësisë natyrore të thellohet edhe më shumë. Deri tash janë mbi 7 mijë të vdekur nga tërmeti, por zyrtarët vendorë druajnë që numri i tyre mund të shkojë deri në 10 mijë.