Dogana ka suspenduar 14 veta, 25 janë në procedurë penale
Në kuadër të masave antikorrupsion, në Doganën e Kosovës deri tash janë suspenduar 14 doganierë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, kurse edhe 25 të tjerë janë në procedurë penale.
Lajme
Drejtori i Doganës, Lulzim Rafuna, duke qenë mysafir i emisionit “Puls” në KTV, tha se është zvogëluar kontrabanda, nepotizmi dhe keqpërdorimi i detyrës.
“Këtë vit i kam suspenduar 14 doganierë për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe mbi 25 zyrtarë janë në procedurë penale. Dua t’ju bëj me dije se askush nuk e ka me tapi vendin e punës në rast se nuk ka performansë të mirë, duke filluar nga unë e deri te i fundit. Ta dini se paga e doganierit është më e larta në rajon dhe nuk kanë asnjë arsye të mos e kryejnë punën ashtu si e kërkon ligji dhe ta dini se nuk do t’i tolerojmë të korruptohen. Paga e një doganieri është 700 euro”, tha Rafuna.
Ai ka pranuar se përballet me presion, por këtë presion ai e quan pozitiv.
“Është e vërtetë se përballemi me presion pozitiv që të punohet më shumë dhe se ka doganierë që kanë humbur edhe shumë kilogramë. Kur vlerësimi i mallit është bërë në prani të palës, është vendos jo aq sa e ka pas vlerën, ndërsa tash vlerësohet dy herë. Tash më askush nuk e di se kush cilin mall e vlerëson më. Do t’ia këpus rrënjët korrupsionit dhe krimit me aq sa kam mundësi”, u shpreh Rafuna.
“Viti 2014 ka qenë vit i suksesshëm. Kemi pas 5% më pak mallra që kanë hyrë në Doganë, por kemi pas 4% më shumë të hyra në buxhet sesa vitin e kaluar. Duhet marrë parasysh se ka rënie në hyrje të materialit për ndërtime. Dhe dua të theksoj se jemi i vetmi institucion që nga raportet ndërkombëtare dhe vendore tregojnë se Dogana e Kosovës ka një performansë të shkëlqyeshme”, theksoi drejtori i Doganës së Kosovës.