Dogana e MTI-ja ia hedhin fajin njëra tjetrës për lodra kancerogjene

Një numër i madh i lodrave që plasohen në tregun tonë nuk i përmbushin standardet e kërkuara. Raporti i një instituti italian thotë se se këto lodra mund të jenë kancerogjene. Në Dogana thonë se nuk janë kompetentë, ndërsa në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë thonë se përgjegjësia e tyre është vetëm për tregun e brendshëm, ndërsa Dogana duhet të verifikojë mallrat para se të lejohet të kalojnë në treg.

Lajme

11/03/2015 16:31

Gazeta Express ka siguruar disa dokumente të Institutit Italian për Sigurinë e Lodrave, ku tregohen analizat e bëra për disa lloje të lodrave që janë importuar në Kosovë, dhe ku del se një numër i madh i tyre nuk i plotëson kushtet për të depërtuar në treg dhe janë të papërdorshme.

Dogana e heq nga vetja përgjegjësinë për këtë, duke thënë se kompetencat pëtr këtë janë të MTI-së. Por, këta të fundit një pjesë të përgjegjësisë e kthejnë përsëri në Doganë, pasi, sipas MTI-së, përgjegjësia e tyre është për mbikëqyrjen e brendshme të tregut ndërsa Doganat autorizohet për verifikimin e produkteve para se ato të hyjnë në treg.

“Me dispozitat e nenit 31 të Ligjit Nr.04/L-039 Për Kërkesat Teknike të Produkteve dhe Vlerësim të Konformitetit, është përcaktuar se Dogana e Kosovës është e autorizuar për të kryer verifikimin e produkteve para importit, kurse mbikëqyrjen e tregut të brendshëm e bënë inspektorati i tregut.

Kurse sa i përket përgjegjësisë, me ligjet në fuqi përgjegjës për vendosjen e lodrave të pasigurta në tregun e brendshëm janë importuesit/distributorët, ku ndaj tyre janë ndërmarrë masat e përcaktuara me ligjet në fuqi si: ndalje e importit, asgjësim i lodrave si dhe ndaj operatorëve ekonomikë në fjalë janë iniciuar procedura kundravajtëse në gjykatat kompetente”, thuhet në përgjigjen e MTI-së.

Në rastin konkret, për të cilin raporton Express, nga MTI-ja thonë se Dogana e Kosovës në bashkëpunim me Institutin Italian ka marrë disa mostra të lodrave në pikat doganore (akoma pa hyrë në tregun e Kosovës) dhe të njëjtat janë dërguar për testim në Institutin italian, me ç‘rast, sipas raportit, disa lodra të testuara kanë rezultuar jo konform me kërkesat e sigurisë. E për lodrat në fjalë, sipas Inspektoratit të MTI-së, është kërkuar tërheqja e tyre nga tregu dhe po ashtu një pjesë e tyre edhe janë konfiskuar.

“Gjithashtu inspektorati i tregut ka kërkuar nga Dogana e Kosovës që të rritet fokusimi në verifikimin/kontrollimin e lodrave para importit. Kurse Inspektorati i Tregut ka inspektuar operatorët ekonomik të cilët merren me importin/shpërndarjen e lodrave në tregun e brendshëm dhe me këtë rast janë sekuestruar 307 lodra”, thuhet në përgjigjen e  MTI-së.

Megjithatë, lodrat për fëmijë të cilat nuk i plotësojnë kushtet për shitje në treg dhe nuk kanë kaluar testet fizike e mekanike në analizat e institutit shtetëror italian, kanë hyrë në Kosovë, janë shitur në treg dhe kanë arritur në duar të fëmijëve.