Dogana e Kosovës dhe ajo britanike thellojnë bashkëpunimin për sigurinë kufitare dhe luftimin e kontrabandës

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se drejtori i përgjithshëm, Agron Llugaliu, ka pritur në takim oficeren koordinuese të Doganës Britanike, Jane Donald, me të cilën ka diskutuar për avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe forcimin e kapaciteteve doganore. Sipas njoftimit, gjatë takimit është diskutuar për thellimin e partneritetit ndërmjet institucioneve doganore të Kosovës dhe…

Lajme

14/05/2026 15:50

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se drejtori i përgjithshëm, Agron Llugaliu, ka pritur në takim oficeren koordinuese të Doganës Britanike, Jane Donald, me të cilën ka diskutuar për avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe forcimin e kapaciteteve doganore.

Sipas njoftimit, gjatë takimit është diskutuar për thellimin e partneritetit ndërmjet institucioneve doganore të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, me fokus në shkëmbimin e përvojave profesionale, ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe zbatimin e praktikave moderne në fushën doganore.

Po ashtu, palët kanë trajtuar tema që lidhen me forcimin e kontrollit kufitar, menaxhimin e riskut, luftimin e kontrabandës dhe mbështetjen në proceset e modernizimit dhe digjitalizimit të shërbimeve doganore.

Në njoftim thuhet se të dyja palët kanë vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe kanë shprehur gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të partneritetit në fusha me interes të përbashkët, me synim rritjen e sigurisë kufitare dhe avancimin e standardeve profesionale.

Dogana e Kosovës ka vlerësuar lartë mbështetjen e partnerëve britanikë, duke theksuar se ky bashkëpunim po kontribuon drejtpërdrejt në zhvillimin institucional dhe forcimin e kapaciteteve operacionale sipas standardeve ndërkombëtare. /Lajmi.net/