Dogana dhe Policia e Kosovës konfiskojnë armë zjarri në pikëkalimin Qafë Prush
Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar, ka sekuestruar një armë zjarri, municion dhe para gjatë një operacioni kontrolli në pikëkalimin kufitar Qafë Prush. Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit të një automjeti që po dilte nga Kosova në drejtim të Republikës së Shqipërisë, zyrtarët kanë gjetur një…
Lajme
Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar, ka sekuestruar një armë zjarri, municion dhe para gjatë një operacioni kontrolli në pikëkalimin kufitar Qafë Prush.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit të një automjeti që po dilte nga Kosova në drejtim të Republikës së Shqipërisë, zyrtarët kanë gjetur një armë zjarri pa numër serik, e fshehur në pjesën e brendshme të automjetit. Po ashtu, janë sekuestruar rreth 120 copë municion të kalibrave të ndryshëm, si dhe një shumë parash në euro.
Rasti i është dorëzuar Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar, e cila do të vazhdojë hetimet dhe procedurat e mëtejme në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë zbatimin e masave të shtuara të kontrollit dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, me qëllim parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme dhe rritjen e sigurisë kufitare. /Lajmi.net/