Doda shpreh keqardhje për mungesën e deputeteve nga Kosova në Beograd
Kryetarja e Aleancës së Grave Deputete, Mesila Doda mori pjesë në takimin e grave parlamentare të rajonit në Beograd.

Lajme
Në fjalën e saj, Doda kërkoi një bashkëpunim rajonal më të madh për fuqizimin e gruas.
Ajo u fokusua në aktivitetin e Aleancës së Grave Deputete dhe nismat e saj më të fundit për rritjen e pjesëmarrjes së gruas në politikë dhe ndalimin e dhunës ndaj gruas.
Ajo gjithashtu shprehi keqardhjen e mungesës së kolegeve deputete nga Kosova në këtë takim.
“Ne grave na takon të jemi promotore të gjithëpërfshirjes e dialogut në adresimin e çështjeve të vështira që mbajnë peng zhvillimin demokratik të rajonit tonë. Në këtë kontekst, shpreh keqardhjen për mungesën e kolegeve tona nga Kosova. Mosprania e tyre këtu nuk pasqyron për më tepër as realitetin e ri në rajon, ku falë ndërmjetësimit të BE-së, Kosova dhe Serbia janë përfshirë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, që do t’i mundësojë të dy vendeve në finale anëtarësimin në BE”, tha Doda.