Dobësimi politik i Kosovës, infermierja flet pas ndalimit nga policia serbe kufitare: Diçka po ndodh së fundmi!
Infermierja shqiptare nga Bujanoci, por e cila vepron në institucione shëndetësore në njërën prej komunave të Kosovës, është ndaluar dje për tri orë, nga policia kufitare serbe tek Dheu i Bardhë. Ajo mbi këtë zhvillim është deklaruar për klankosova.tv, duke shprehur shqetësim, se si autoritetet serbe e paralajmëruan se është nën përcjelljen e tyre. ”Më…

Lajme
Infermierja shqiptare nga Bujanoci, por e cila vepron në institucione shëndetësore në njërën prej komunave të Kosovës, është ndaluar dje për tri orë, nga policia kufitare serbe tek Dheu i Bardhë.
Ajo mbi këtë zhvillim është deklaruar për klankosova.tv, duke shprehur shqetësim, se si autoritetet serbe e paralajmëruan se është nën përcjelljen e tyre.
”Më paralajmëruan që je nën përcjellje çdo herë kur ta kalosh kufirin”, u shpreh Linda Fetahu-Krivanjeva.
”Diçka po ndodhë së fundmi. Unë e njëjta qytetare kam qenë në të njëjtat aktivitete gjithmonë. Pse tash ka këso ndalesa?”.
Ajo tha madje se rrugëtim të tillë për në Luginë, nuk kishte zhvilluar që nga 2024-ta.
”Unë kam udhëtuar vazhdimisht në atë rrugë. Nga nëntori i vitit të kaluar nuk kam qenë në Luginë. Por, kësaj radhe rruga ishte ndryshe. U ndalova, por më liruan pas intervistimit në pikën kufitare nga një hetues policor”.
”Në fakt jam veterane e luftës. Por, kam udhëtuar lirshëm nga Marrëveshja e Amnistisë e vitit 2002. Nga kjo marrëveshja shumë ish-luftëtar jetojnë aty”.
Ndër tjera, Linda Fetahu-Krivanjeva, foli edhe për qasjen e zyrtarëve policorë serbë, dhe se çfarë u interesonte për të.
”Jo, në sjellje kanë qenë korrekte. Vetëm se kanë pasur pyetje se ku kam shërbyer në luftë 1998-1999 dhe ku kam qenë gjatë konfliktit në Luginë të Preshevës në 2001. Kam përshtypjen se ishin mirë të informuar”, deklaroi ajo për klankosova.tv.
Ish-luftëtarja megjithatë shprehet se aktualisht Kosova, gjendet politikisht në një pozicion të dobët.
”Për mendimin tim, sa më e dobët Kosova politikisht, edhe me ne bëjnë hajgare, si ju teket jashtë kufijve. Ka pasur më herët edhe më shumë reagime nacionale dhe nuk jemi ndaluar, sot 2025-ta, na kufizojnë mendimin dhe lëvizjen”, tha ajo.
Fetahu –Krivanjeva, deklaroi se në kufi ishte bashkë me familjen e saj kur edhe u ndalua nga policia serbe.
Mbi ndalesën e saj, reagoi edhe ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Nevzad Lutfiu.
”Linda Fetahu-Krivanjeva, bija krenare e vendit tonë, infermierja që dikur u kujdes për ushtarët e lirisë dhe gjithmonë ka ngritur zërin për të drejtat e shqiptarëve të Luginës, u ndalua për tri orë në kufi nga policia serbe”, ka shkruar Lutfiu në Facebook.
Sipas tij, kjo është një formë frikësimi dhe paralajmëron se ndalesa të tilla mund të vazhdojnë.