“Do të mbetemi në rrugë” – Banorët e Leshakut nën presion për t’i rrënuar objektet pa leje
Familja 3-anëtarëshe Danilloviq nga Leshaku, në veri të Kosovës, ka edhe rreth 20 ditë afat për të shembur shtëpinë e ndërtuar në mënyrë të paligjshme; në të kundërtën, ajo do të rrënohet nga një kompani për rrënime të tilla, me shpenzimet e saj. Këtë paralajmërim, familja Danilloviq e mori më 28 maj nga autoritetet lokale,…

Lajme
Familja 3-anëtarëshe Danilloviq nga Leshaku, në veri të Kosovës, ka edhe rreth 20 ditë afat për të shembur shtëpinë e ndërtuar në mënyrë të paligjshme; në të kundërtën, ajo do të rrënohet nga një kompani për rrënime të tilla, me shpenzimet e saj.
Këtë paralajmërim, familja Danilloviq e mori më 28 maj nga autoritetet lokale, me urdhër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, e cila pretendon se shtëpia e kësaj familjeje është ndërtuar në tokën e saj.
Pikërisht pranë shtëpisë, të cilën familja Danilloviq e ka ndërtuar pa leje më shumë se një dekadë më parë, ndodhet një stacion i policisë, të cilin autoritetet e Kosovës e kanë ndërtuar vitin e kaluar.
Atëkohë, në shtator të vitit 2024, në vendosjen e gurthemelit për ndërtimin e këtij stacioni policor ka marrë pjesë edhe kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti.
Këtë veprim, Beogradi zyrtar e ka përshkruar si “vazhdim të pushtimit politik policor” të veriut të Kosovës.
Leshaku, përndryshe, gjendet rreth 10 kilometra larg pikës kufitare me Serbinë, Jarinje.
Mbi 15 familje të këtij fshati përballen me kërkesën e njëjtë: t’i rrënojnë objektet e ndërtuara ilegalisht në afërsi të stacionit të policisë deri më 28 qershor.
REL pyeti MPB-në e Kosovës se çfarë planifikon të bëjë me tokën ku janë ndërtuar objekte të paligjshme, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Autoritetet lokale në Leposaviq thonë se toka në të cilën janë ndërtuar këto objekte, i përket stacionit të policisë, përkatësisht Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, dhe se i kanë ftuar pronarët për negociata, rreth dy muaj më parë, por se ata nuk janë përgjigjur.
Tani, Marina Bogojeviq, nënkryetare e Komunës së Leposaviqit në Kosovë, thotë për REL se shanset për t’i ndihmuar banorët, janë minimale, megjithëse shpreson për “disa lëshime”.
Pronarët e objekteve të ndërtuara pa leje pranojnë se nuk u janë drejtuar autoriteteve lokale të Kosovës në Leposaviq për ndihmë, por thonë se planifikojnë ta bëjnë një gjë të tillë.
“Të na mundësohet legalizimi”
Ana Danilloviq thotë se familja e saj do të “mbetet në rrugë” nëse MPB-ja e Kosovës ia rrënon shtëpinë.
Ajo kërkon që të mundësohet legalizimi i objektit, duke shtuar se “askush nuk ik nga përgjegjësitë e veta”.
Duke folur për REL, ajo thotë se, në vitet e para pas luftës, nuk ka pasur mundësi të marrë leje ndërtimi dhe se deri tani “askush nuk i ka penguar”.
Deri në nëntor të vitit 2022, Komunën e Leposaviqit e ka udhëhequr Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.
Atëkohë, ajo ka marrë vendim politik për t’u larguar nga institucionet e Kosovës.
Meqë serbët lokalë i kanë bojkotuar zgjedhjet lokale, pas thirrjes së Listës Serbe, pushtetin e ka marrë kryetari shqiptar, Lulzim Hetemi.
“Ne jemi për legalizim, ne jemi për këtë. Do të donim ta rregullonim më së miri dhe ta zgjidhnim. Mirëpo, situata është e tillë, (është) çështje politike. Nuk na lejojnë ta legalizojmë. Ne do ta bënim atë me qejf dhe nuk duam të largohemi nga këtu”, thotë Danilloviq.