Do të angazhohemi maksimalisht për ndryshime

Ramush Haradinaj zotohet se gjatë vitit 2014 do të angazhohet maksimalisht për ndryshime që do të sjellin më shumë zhvillim ekonomik, punësim e mirëqenie për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Lajme

30/12/2013 10:07

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se gjatë vitit 2014 do të angazhohet maksimalisht për ndryshime.

Ky është mesazhi i tij në prag të festës së Vitit të Ri 2014 për  qytetarët e Kosovës.

“Duke reflektuar mbi të gjitha zhvillimet e vitit që po shkon, bashkërisht zotohemi se gjatë vitit 2014 do të angazhohemi maksimalisht për ndryshime që do të sjellin më shumë zhvillim ekonomik, punësim e mirëqenie për vendin dhe qytetarët tanë”.

“Në këtë ndërrim motesh, kujtojmë me respekt e krenari të gjithë ata që sot nuk janë në mesin tonë, por që janë më meritorët për lirinë që gëzojmë dhe shtetin që po ndërtojmë. Nga vepra e tyre marrim forcë e vullnet për të tejkaluar të gjitha sfidat dhe që të punojmë më tej për ndërtimin e vendit”.

“Ne sot i falënderojmë dhe iu jemi mirënjohës miqve ndërkombëtarë, që na u gjendën përherë afër, e që edhe sot janë mbështetësit tanë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe misionet diplomatike që veprojnë në Kosovë. Ua përcjellim respektin e thellë për punën dhe ndihmën e tyre në zhvillimin e Kosovës”.

“Duke uruar që Viti i Ri të shënojë një hap për të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe për shqiptarët kudo që janë, i falënderoj të gjithë qytetarët e vendit, miqtë, kolegët e bashkëpunëtorët për përkrahjen dhe punën e bërë gjatë vitit që po e lëmë pas”.

“Në këto momente kur veç kemi hyrë në frymën e festës, jua përcjellë edhe një herë urimet më të përzemërta me dëshirat më të mira për lumturinë tuaj dhe të familjeve tuaja”.