DnV: Procesi i votimit nis me kohë dhe pa probleme

Sot, qytetarët e Kosovës po ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës. “Integriteti i këtij procesi varet nga respektimi i standardeve demokratike, administrimi profesional i zgjedhjeve dhe garantimi i së drejtës së secilit qytetar për të votuar lirshëm dhe pa pengesa”, thekson DnV. “Demokracia në Veprim…

Lajme

07/06/2026 09:15

Sot, qytetarët e Kosovës po ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës. “Integriteti i këtij procesi varet nga respektimi i standardeve demokratike, administrimi profesional i zgjedhjeve dhe garantimi i së drejtës së secilit qytetar për të votuar lirshëm dhe pa pengesa”, thekson DnV.

“Demokracia në Veprim (#DnV) ka angazhuar rrjetin e saj të vëzhguesve në mbarë vendin për të monitoruar ecurinë e procesit zgjedhor dhe për të kontribuar në transparencën, rregullsinë dhe besueshmërinë e tij. Pesëqind (500) vëzhguesit tanë sot janë prezentë në 500 vendvotime, të përcaktuara në bazë të mostrës përfaqësuese të rastësishme. Gjatë ditës së sotme ata do të raportojnë mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, nga hapja e vendvotimeve deri në mbyllje të procesit të numërimit të votave për subjektet politike. Me theks, ata do të përcjellin respektimin e procedurave të votimit dhe numërimit, garantimit të fshetësisë së votës dhe qasjes së barabartë në votim për të gjithë qytetarët – sipas standardeve ndërkombëtare për vëzhgim te pavarur dhe të paanëshëm. Rikujtojmë se në këto zgjedhje nuk ka prani të misioneve ndërkombëtare për vëzhgimin e zgjedhjeve”, thuhet në njoftim.

Të dhënat e marra nga terreni do të komunikohen nga DnV tek publiku përmes konferencave të rregullta për media dhe përmes rrjeteve sociale.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1,959,962 qytetarë. Krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, lista e votuesve është më e vogël për 39,242 emra, ndonëse ndërmjet dy proceseve zgjedhore nuk kanë kaluar as gjashtë muaj.

DnV inkurajon të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të marrin pjesë në zgjedhje, të votojnë sipas bindjes së tyre dhe të kontribuojnë në një proces të lirë, demokratik dhe në përputhje me rregullat zgjedhore.

Një thirrje e veçantë shkon për 16,934 votuesit që do të votojnë për herë të parë. Vota juaj, më shumë se një e drejtë – është zëri juaj në vendimmarrje.

𝐇𝐚𝐩𝐣𝐚 𝐞 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐯𝐨𝐭𝐢𝐦𝐞𝐯𝐞

“Në tërë territorin e Republikës së Kosovës janë gjithsej 2,550 vendvotime (2,498 të rregullta dhe 52 me kusht). Sipas të dhënave të terrenit, me vonesë janë hapur vetëm 1,6% e vendvotimeve dhe kjo për shkak të mungesës së komisionerëve. Në disa raste vonesat në hapje lidhen edhe me mungesën e kabinave të votimit.

Në 2% të vendvotimeve ka pasur probleme me funksionalizim të kamerave ose me mënyrën se si janë vendosur, që mund të cënojë fshehtësinë e votës. Poashtu vlen të theksohet se në 16% të vendovotimeve nuk ka asnjë grua komisionere”, vijon njoftimi.

𝐐𝐚𝐬𝐣𝐚 𝐧𝐞̈ 𝐐𝐞𝐧𝐝𝐫𝐚𝐭 𝐞 𝐕𝐨𝐭𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐚𝐦𝐛𝐢𝐞𝐧𝐭𝐢 𝐩𝐞̈𝐫𝐫𝐞𝐭𝐡 𝐭𝐲𝐫𝐞

“Zgjedhjet duhet të jenë e qasshme për secilin qytetar. Çdo qytetar duhet të ketë mundësinë të votojë në mënyrë të pavarur, të barabartë dhe me dinjitet. Megjithatë, për shumë persona me aftësi të kufizuara fizike, ushtrimi i kësaj të drejte vazhdon të shoqërohet me pengesa. Sipas vvëzhguesve tanë, rreth 1/5 ose 19% e Qendrave të Votimit në Kosovë ende nuk ofrojnë infrastrukturën e nevojshme për qasje të lehtë, duke kufizuar pjesëmarrjen e plotë të tyre në procesin demokratik.

Ndërsa në ambientin jashtë Qendrave të Votimit, janë hasur materiale promovuese të subjekteve politike, megjithëse rregullat zgjedhore e ndalojnë vendosjen e tye brenda një perimetri prej 100 metrash nga Qendrat e Votimit. Kjo është vërejtur në afërsi të rreth 2% të qendrave të monitoruara. Në anën tjetër, Policia e Kosovës përgjithësisht është duke kryer detyrat e saj, ndonëse në 10% të Qendrave të Votimit është raportuar që nuk ka zyrtarë policorë ashtu siç e parasheh ligji”, thuhet në njoftim.

𝐈𝐧𝐟𝐨𝐫𝐦𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐯𝐨𝐭𝐮𝐞𝐬𝐯𝐞 𝐩𝐞̈𝐫 𝐭𝐞̈ 𝐯𝐨𝐭𝐮𝐚𝐫 𝐬𝐚𝐤𝐭𝐞̈

“Edhe në këto zgjedhje, votuesit kanë të drejtë të votojnë deri në 10 kandidatë, gjë që u bë me mundur pas ndryshimeve ligjore për votën preferenciale në vitin 2023. Institucionet për administrimin e zgjedhjeve janë të obliguara që të informojnë votuesit për këto rregulla përmes vendosjes së posterëve informues në hyrje të secilës Qendër të Votimit. Megjithatë vëzhguesit tanë kanë raportuar se këto instruksione nuk janë hasur në 4% të Qendrave të Votimit që përbën një përmirësim nga zgjedhjet e 28 dhjetorit. Megjithatë në 19% të QV nuk ka tavolina ndihmëse, që si problematikë është më e shprehur në rajonin e Ferizajt, Kacanikut, Prizrenit, Podujevës, Prishtinës dhe Pejës”, përfunon njoftimi.