DnV kritikon fushatën: Mungojnë përballjet mes kandidatëve dhe ofertave politike

Demokracia në Veprim (DnV) ka publikuar vlerësimin e saj për pesë ditët e para të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, duke konstatuar se gara po karakterizohet nga dominimi i liderëve partiakë, mungesa e përballjeve mes kandidatëve dhe përdorimi i fëmijëve në aktivitete zgjedhore. Sipas DnV-së, në zgjedhje po marrin pjesë 21 subjekte…

Lajme

02/06/2026 15:06

Demokracia në Veprim (DnV) ka publikuar vlerësimin e saj për pesë ditët e para të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, duke konstatuar se gara po karakterizohet nga dominimi i liderëve partiakë, mungesa e përballjeve mes kandidatëve dhe përdorimi i fëmijëve në aktivitete zgjedhore.

Sipas DnV-së, në zgjedhje po marrin pjesë 21 subjekte politike me 902 kandidatë, prej të cilëve vetëm 34 për qind janë gra. Organizata vlerëson se ofertat programore të partive janë kryesisht vazhdim i premtimeve të mëparshme, të fokusuara në energji, paga, skema sociale, infrastrukturë dhe teknologji.

DnV ka ngritur shqetësime edhe për barazinë në garën zgjedhore, duke përmendur përdorimin e resurseve publike dhe vendimet e qeverisë në detyrë për përfitime financiare si faktorë që, sipas saj, krijojnë avantazh për partinë në pushtet.

Në raport theksohet se gjatë pesë ditëve të para janë evidentuar raste të përdorimit të fëmijëve në tubime politike, për të cilat janë dorëzuar dy ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Po ashtu, monitorimi ka identifikuar 56 raste të gjuhës së urrejtjes, gjuhës shpifëse, përmbajtjeve përçmuese dhe dezinformimit, ndërsa mbi 7 mijë komente me gjuhë të urrejtjes janë evidentuar në portalet informative në gjuhën shqipe dhe serbe. Sipas DnV-së, pothuajse gjysma e rasteve të evidentuara kanë pasur në shënjestër gratë pjesëmarrëse në garën zgjedhore.

Organizata vlerëson se fushata po zhvillohet përgjithësisht në një atmosferë të qetë, por mbetet e sfiduar nga pabarazia në garë, cilësia e debatit publik dhe përhapja e gjuhës së urrejtjes në hapësirën digjitale. DnV u ka bërë thirrje partive politike që të fokusohen në programet dhe ofertat e tyre për qytetarët, duke shmangur gjuhën nxitëse, përdorimin e resurseve publike dhe përfshirjen e fëmijëve në fushatë. /Lajmi.net/