DnV-ja tregon se sa gjatë do të duhet për numërimin e të gjitha votave

Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim ka folur për procesin e numërimit të votave dhe shpejtësinë me të cilën janë duke u numëruar votat për kandidatët për deputetë. Cakolli ka thënë se me këtë tempo me të cilën janë duke u numëruar, procesi do të zgjasë të paktën edhe dy javë. Ai ka thënë se…

Lajme

12/02/2025 22:06

Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim ka folur për procesin e numërimit të votave dhe shpejtësinë me të cilën janë duke u numëruar votat për kandidatët për deputetë.

Cakolli ka thënë se me këtë tempo me të cilën janë duke u numëruar, procesi do të zgjasë të paktën edhe dy javë.

Ai ka thënë se në qendrën e numërimit në Prishtinë për tetë orë punë janë numëruar vetëm dhjetë kuti.

“Tempoja e punës është e ngadalshme nga ora 16 deri në 12 të natës, në 12 tavolina të votimit në Prishtinë janë numëruar vetëm 10 kuti”, ka thënë Cakolli.

“Vetëm në Prishtinë janë mbi 220 vendvotime, mund të na duhen të paktën edhe dy javë, pa llogaritur vendimet potenciale të PZAP-së që janë të mundshme për shkak të dallimeve në vota, për shkak të rinumërimit të tyre”, ka theksuar ai në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës

Sipas tij këto vonesa po ndodhin edhe shkaku i ndërhyrjeve nga vëzhguesit, duke përmendur rastin e së martës kur një vëzhgues i VV-së insistonte se një votë ishte e pavlefshme, ani pse ajo ishte e vlefshme.

“Procedura e verifikimit dhe lejimi i ndërhyrjeve nga vëzhguesve, të njëjtit janë në presion dhe detyrohen t’i rinumërojnë votat”, ka thënë ai.