DnV: Deri në orën 12:00 kanë votuar 13.7% e qytetarëve
Koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim (DnV) ka bërë të ditur se deri në orën 12:00 të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 13.7 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Sipas vëzhgimeve në terren, procesi i votimit po zhvillohet kryesisht në mënyrë të qetë, por me disa parregullsi të evidentuara në vendvotime.…
Lajme
Koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim (DnV) ka bërë të ditur se deri në orën 12:00 të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 13.7 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Sipas vëzhgimeve në terren, procesi i votimit po zhvillohet kryesisht në mënyrë të qetë, por me disa parregullsi të evidentuara në vendvotime.
Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, në konferencën e radhës për media, tha se pjesëmarrja në votim është pak më e ulët krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Që nga hapja e vendvotimeve, sipas vëzhguesve tanë, procesi i votimit po rrjedh në mënyrë të qetë. Deri në orën 12:00, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 13.7 për qind e qytetarëve. Në zgjedhjet e 9 shkurtit, deri në këtë orë kanë votuar 14.5 për qind, pra kemi një dallim të vogël”, deklaroi Kryeziu.
Ai theksoi se janë shënuar vështirësi në identifikimin e vendvotimeve dhe raste të votuesve që janë paraqitur në qendra të gabuara.
“Në rreth 50 për qind të vendvotimeve janë raportuar raste të votuesve që janë paraqitur në vendvotime të gabuara. Po ashtu, ka pasur qytetarë që nuk kanë mundur ta gjejnë emrin e tyre në listën e votuesve”, tha ai.
Sipas Kryeziut, votimi me asistencë ka qenë në nivel të ulët, ndërsa janë evidentuar edhe raste të përdorimit të dokumenteve të pavlefshme.
“Deri më tani, vetëm rreth 1 për qind e qytetarëve kanë votuar me asistencë. Ndërkaq, në deri 16 për qind të vendvotimeve janë identifikuar raste të votimit me dokumente me afat të skaduar”, theksoi Kryeziu.
Ai shtoi se është vërejtur rënie e rasteve të fotografimit të votës, por janë shënuar edhe probleme të përkohshme me furnizimin me energji elektrike në disa qendra votimi.
“Fenomeni i fotografimit të votës është në rënie. Deri në orën 12:00 janë raportuar 13 raste. Gjithashtu, kemi pasur ndërprerje të energjisë elektrike në deri tetë qendra votimi, por ndërhyrja ka qenë e shpejtë”, përfundoi Kryeziu.