DNV: Deri në mesditë kanë votuar 12.2% e qytetarëve, bie ndjeshëm votimi me asistencë

Demokracia në Veprim (DnV) ka bërë të ditur se procesi i votimit në zgjedhjet e sotme po zhvillohet kryesisht i qetë në të gjithë vendin, ndërsa deri në orën 12:00 pjesëmarrja në votime ka arritur në rreth 12.2 për qind të qytetarëve me të drejtë vote. Sipas Eugen Cakollit, komunat me shumicë serbe në veri…

Lajme

07/06/2026 13:27

Demokracia në Veprim (DnV) ka bërë të ditur se procesi i votimit në zgjedhjet e sotme po zhvillohet kryesisht i qetë në të gjithë vendin, ndërsa deri në orën 12:00 pjesëmarrja në votime ka arritur në rreth 12.2 për qind të qytetarëve me të drejtë vote.

Sipas Eugen Cakollit, komunat me shumicë serbe në veri të vendit po shënojnë pjesëmarrjen më të lartë, me mbi 24 për qind, gati dyfish më shumë se mesatarja në nivel vendi, shkruan lajmi.net.

Ndërkohë, Prishtina dhe Ferizaj kanë regjistruar pjesëmarrjen më të lartë në mesin e komunave me shumicë shqiptare, me 13.2 për qind, ndërsa pjesëmarrja më e ulët është raportuar në rajonet e Prizrenit dhe Gjakovës, me rreth 9 për qind.

DnV rikujton se në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025, deri në të njëjtën orë kishin votuar 13.7 për qind e qytetarëve.

Sa i përket parregullsive, organizata ka raportuar se në gati gjysmën e vendvotimeve janë evidentuar raste të qytetarëve që kanë pasur vështirësi në gjetjen e emrit në listën e votuesve ose të qendrës së tyre të votimit. Në shumicën e rasteve bëhet fjalë për numër të vogël votuesish, megjithatë në disa vendvotime janë raportuar deri në 30 raste të tilla.

Një nga zhvillimet më të theksuara sipas DnV-së është ulja e ndjeshme e votimit me asistencë. Deri në mesditë, më pak se 0.1 për qind e votuesve kanë votuar me asistencë, krahasuar me rreth 1 për qind në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe rreth 6 për qind në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Sipas raportit, kjo rënie lidhet me zbatimin më rigoroz të rregullave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili kërkon dokumentacion përkatës për votuesit që kërkojnë asistencë gjatë votimit.

DnV ka raportuar gjithashtu raste të izoluara të shkeljeve, përfshirë votimin me dokumente të skaduara në 14 për qind të vendvotimeve, fotografimin e votës në 12 raste të evidentuara në rajonet e Prizrenit dhe Gjakovës, si dhe raste kur votimi me asistencë nuk është regjistruar sipas procedurave.

Pavarësisht këtyre incidenteve, DnV vlerëson se procesi zgjedhor deri në mesditë po zhvillohet në një atmosferë të qetë dhe pa probleme serioze që do të cenonin mbarëvajtjen e votimit. /Lajmi.net/