Djukanovic fyen deputetin shqiptar

Deputeti ulqinak në Parlamentin e Malit të Zi, Dritan Abazovic, është fyer nga Kryeministri Milo Djukanovic. Kjo fyerje ka ardhur pas një debati të nxehtë lidhur me mafinë mediale në këtë vend.

Lajme

21/11/2013 18:19

Kryeministri i Malit të Zi, Milo Djukanovic, ka humbur gjakftohtësinë gjatë një debati në parlamentin e Malit të Zi dhe e ka fyer deputetin shqiptar nga Ulqini, Dritan Abazovic, duke e quajtur atë “vagabond”.

Kjo fyerje erdhi gjatë një debati të nxehtë gjatë Orës Kryeministrore në Parlamentin e Malit të Zi.

Incidentit i ka paraprirë debati i ashpër gjatë të cili kryeministri ka thënë që Partia Pozitive shërben për të mbrojtur interesat e “mafisë mediale”.

Djukanoviq reagoi ashpër pasi që Mladen Bojanic tha që ai ka shkelur ligjin kur bëhet fjalë për “dorëheqjet e kovertuara”, për çka ka paralajmëruar edhe Komisioni Europian.

“Partia e juaj është përfaqësuese e mafisë mediatike në Mal të Zi, të cilët e kanë themeluar partinë të mbrojnë krimin e vet”, tha Djukanovic.

Gjatë intervenimit procedural, deputeti nga Ulqini Dritan Abazovic ka paralajmëruar Djukanovicin që kjo është hera e fundit që dikush nga Parlamenti thotë që cili do përfaqësues i Partisë Pozitive mbron interesat e mafisë.

Në debat të ashpër pasi Abazovic përfundoi diskutimin e shkurtër, erdhi deri tek polemika në të cilën Djukanovic e quajti Abazovicin vagabond (bitango).

Mbas incidentit, deputetët e partisë Pozitive lëshuan mbledhjen.

Djukanovic i kërkoi falje parlamentit të Malit të Zi dhe opinionit publik, për reagimin primitiv mbas polemikës me deputetët e Partisë Pozitive.