Djegia e vilës së Mefail Bajqinovcit, Policia jep detaje

Deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, i është djegur sot vila në Katunishtë të Podujevës. Policia e Kosovës ka nisur hetime për këtë rast. Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, tha për Lajmi.net, se kanë filluar hetimet për rastin. “Sot rreth orës 19:00, kemi pranuar informatën se  një villë në fshatin Katunishtë…

Lajme

24/09/2024 22:14

Deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, i është djegur sot vila në Katunishtë të Podujevës. Policia e Kosovës ka nisur hetime për këtë rast.

Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, tha për Lajmi.net, se kanë filluar hetimet për rastin.

“Sot rreth orës 19:00, kemi pranuar informatën se  një villë në fshatin Katunishtë të Podujevës, është djegur. Bazuar në të dhënat e deritanishme nuk raportohet për ndonjë person të lënduar. Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorin kanë nisë një hetim për rastin”, ka thënë Ahmeti.

Bajqinovci në prononcimin e fundit të tij tha se është duke shkuar në vendin e ngjarjes dhe në momentin kur ka ndodhur incidenti askush nuk ka qenë i pranishëm brenda vilës.

“Jam duke shkuar, nuk kam kurfarë informate pos më kanë thënë se do dyer dhe dritare ka kërsit diçka dhe janë dalë jashtë dhe u kallë një pjesë. Policia janë në vendin e ngjarjes dhe jam në gjysë të rrugës për Prishtinë-Podujevë. Vila ndodhet mes Bajgorës dhe Llapit është një vend afër Bajgorës. Më thanë që është djegë”, deklaroi deputeti i VV-së.

Bajqinovci e ka të deklaruar këtë vilë në deklarimin e tij të pasurisë. Ai ka deklaruar para Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit se ndërtimi i saj i ka kushtuar 25 mijë euro. /Lajmi.net/