Dje i kërkoi Sveçlës shkarkime në Polici, vëllai i Agon Zejnullahut ishte kandidat i LVV-së për asamble në Lipjan
Alban Zejnullahu, vëllai i 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, i cili dyshohet se u vra nga pakujdesia nga pesë zyrtarë policorë, ishte pjesë e Vetëvendosjes. Të martën, Alban Zejnullahu i kërkoi ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës të Lëvizjes Vetëvendosje që të ndërmarrë hapa në drejtim të lirimit nga detyra të përgjegjësve për rastin…

Lajme
Alban Zejnullahu, vëllai i 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, i cili dyshohet se u vra nga pakujdesia nga pesë zyrtarë policorë, ishte pjesë e Vetëvendosjes.
Të martën, Alban Zejnullahu i kërkoi ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës të Lëvizjes Vetëvendosje që të ndërmarrë hapa në drejtim të lirimit nga detyra të përgjegjësve për rastin nga Stacioni Policor në Lipjan.
“E falënderojmë ministrin Sveçla për ngushëllime, por a nuk do të ishte në detyrën e tij që ta liroj nga detyra dikë nga policia në Komunën e Lipjanit. Ai do të ishte një ngushëllim parësor për familjen tonë”, tha Zejnullahu në një deklarim në emisionin Pressing të T7.
Zejnullahu, në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, 2021, kishte kandiduar për një vend në Asamblenë Komunale të Lipjanit si pjesë e listës së Vetëvendosjes, raporton Paparaci.
Pas zgjedhjeve, ndonëse nuk ia kishte dal të zgjidhej në asamble, ai kishte marrë 163 vota, i 12-ti më i votuar brenda listës së Vetëvendosjes. Gjashtë të parët ishin zgjedhur në asamble.
Zejnullahu e ka fajësuar shtetin për vrasjen e vëllait të tij.
“Shihet qartë se është vrarë nga dora e shtetit, nga disa policë…”, tha ai të hënën, në ditën e vdekjes së vëllait të tij 27-vjeçar.
Pesë zyrtarë policorë u arrestuan të hënën në mbrëmje për vrasje nga pakujdesia në rastin e Agon Zejnullahut. Të martën, Prokuroria ka kërkuar caktim të masës së sigurisë paraburgim ndaj pesë policëve.