“Djali nuk ka konkuru vetëm në OSHP, por edhe në KQZ e organizata të tjera” – Ever Dugolli deklarohet nëse djali i tij u pranua në pozitën e “ekspertit shqyrtues”

Genc Dugolli, djali i ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli raportohet se është pranuar në pozitën e “ekspertit shqyrtues” në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Në garën për këtë pozitë, Dugolli është vlerësuar me 78.6 pikë nga komisioni përzgjedhës, duke u renditur i dyti në listë, raporton lajmi.net. OSHP-ja është institucioni përgjegjës për shqyrtimin e…

Lajme

07/10/2025 13:42

Genc Dugolli, djali i ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli raportohet se është pranuar në pozitën e “ekspertit shqyrtues” në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Në garën për këtë pozitë, Dugolli është vlerësuar me 78.6 pikë nga komisioni përzgjedhës, duke u renditur i dyti në listë, raporton lajmi.net.

OSHP-ja është institucioni përgjegjës për shqyrtimin e procedurave tenderuese në rast kontestesh, duke pasur një rol të rëndësishëm në sistemin e prokurimit publik në vend.

Për këtë çështje, lajmi.net ka kontaktuar me Enver Dugollin ish-deputet dhe anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë informacion në lidhje me pranimin e të birit në këtë institucion.

“Unë jam një njeri që aktualisht as nuk kam pozitë drejtuese në institucione e as në parti nuk kam, jam thjeshtë anëtar i VV-së dhe atë me krenari dhe mbetem anëtar i VV-së por nuk kam asnjë lloj ndikimi asnjë lloj pozite në asnjë institucion, pra as në parti e as në institucione shtetërore. Sa i takon djalit, pra djali është i ndarë nga unë nuk jetojmë bashkë, djali punon në IPKO dhe që një kohë të gjatë është në atë kompani dhe me aq sa di është ai ka konkuru jo vetëm në OSHP, por edhe në disa organizata e disa institucione të tjera dhe seriozisht nuk e kam ditë as nuk e di saktë se a është pranuar.”, tha Dugolli për lajmi.net

Ai tutje tha se djali i tij ka konkuruar edhe në disa organizata të tjera ku ka pasur pozitë të hapur si në KQZ, OSHP, në Komisionin Regullativ, kjo sipas tij për arsye të llogarive të tij për ta ndryshuar punën.

“Si rrjedhojë as nuk e kam ditë dhe nuk merrem me këtë për shkak se djali ka konkuru në KQZ, OSHP, në Komisionin Regullativ dhe kudo ku ka pasë konkurse, jo vetëm tani por në vazhdimësi, ka qenë i interesuar ta ndërrojë punën për shkak atyre llogarive të veta që nuk i ka konvenu apo me atë punë dhe kjo është e tëra”, tha Dugolli.

Por çështja nuk është kaq e thjesht kur dihet se Dugolli është emër i rëndësishëm i Lëvizjes Vetëvendosje që prej disa vitesh drejton thuajse çdo institucion, e njerëzit e saj nuk kanë lënë pozitë drejtuese pa marrë në ndëmarrje e institucione të ndryshme publike.

Kësisoj punësimi i Genc Dugollit në OSHP flet edhe më tepër për punësimet që po ua bën Vetëvendosje njerëzve të saj, sidomos në kohë fushate.

Madje Genc Dugolli nuk është rasti i vetëm. Edhe Gafurr Dugolli, vëllai i Enver Dugollit, është emëruar sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes me vendim të Qeverisë në vitin 2024 – një pozitë me peshë të madhe brenda administratës shtetërore.

Këto emërime bien ndesh me mesazhet që dikur përçonin vetë krerët e Lëvizjes Vetëvendosje. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në fushatat e kaluara kishte deklaruar se “familjarët janë për dasma e ahengje, e jo për institucione”, duke u zotuar për ndarjen e politikës nga nepotizmi./Lajmi.net/