Djali e vrau, babai nuk i dha ndihmë – Gjykata në Prizren cakton një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve për vrasjen e hoxhës në Dragash
Gjykata Themelore në Prizren, ka njoftuar se i ka caktuar një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve (babë e bir) për rastin e vrasjes së rëndë të hoxhës në Zlipotok të Dragashit. Sipas Gjykatës, i pandehuri me inicialet B.H dyshohet se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë në mënyrë mizore apo dinake, ndërsa babai…
Lajme
Gjykata Themelore në Prizren, ka njoftuar se i ka caktuar një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve (babë e bir) për rastin e vrasjes së rëndë të hoxhës në Zlipotok të Dragashit.
Sipas Gjykatës, i pandehuri me inicialet B.H dyshohet se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë në mënyrë mizore apo dinake, ndërsa babai i tij I.H dyshohet se nuk i ka dhënë ndihmën viktimës.
“Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se: I pandehuri B.H., më 29.06.2026, rreth orës 23:00, në fshatin Zlipotok, Komuna e Dragashit, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin G.T. Sipas hetimeve të deritanishme, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme ndërmjet të pandehurit dhe viktimës lidhur me shfrytëzimin e një prone (livadhi). I pandehuri B.H., i ka shkaktuar viktimës lëndime me mjet të mprehtë (thikë), si pasojë e të cilave viktima G.T., ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes”, thuhet në komunikatë.
Sipas Gjykatës, I.H, babai i të dyshuarit për vrasje dyshohet se edhe pse ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes dhe ka pasur mundësi të ofroj ndihmë pa rrezikuar veten apo të tjerë, nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’i ofruar ndihmë viktimës që ndodhej në rrezik për jetën.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake, në bazë të provave materiale të mbledhura deri në këtë fazë, duke gjetur si të bazuar dyshimin e bazuar për kryerjen e veprave penale nga të pandehurit, vlerëson se me masën e paraburgimit do të arrihet të sigurohet prezenca e të pandehurve dhe se do të mund të zhvillohen normalisht dhe pa pengesa procedura penale. Duke pasur parasysh peshën e rëndë të veprave penale të dyshohet se janë kryer, mënyrën dhe rrethanat ashtu që i dyshuari B.H., në mënyrë mizore apo dinake dyshohet të ketë goditur me thikë në shpinë dhe qafë viktimën ndjerin G.T., po ashtu duke shtuar faktin se i pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është gjetur dhe arrestuar nga Policia, për Gjykatën rezulton se me lënien në liri ekziston rreziku i ikjes dhe arratisjes, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, andaj masa e paraburgimit në këtë fazë është e domosdoshme”, thuhet në komunikatë.
Sipas Gjykatës, masa e paraburgimit është e arsyeshme dhe ligjore, me qëllim të mbarëvajtjes së procedurës hetimore, nxjerrjen e provave materiale, marrjen e deklaratave të dëshmitarëve dhe të të dyshuarve, dhe sigurimin e prezencës së të pandehurve para institucioneve të drejtësisë me qëllim të zbardhjes së ngjarjes, si dhe parandalimit të arratisjes së të dyshuarve, Gjyqtarja ka vlerësuar se masa tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për sigurimin e prezencës së të dyshuarve dhe rrjedhën e papenguar të fazës hetimore. /Lajmi.net/