Ditë të vështira për Mustafën

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa nuk do ta ketë të lehtë t’i qëndrojë besnik marrëveshjes fillestare LDK-AAK-Nisma, megjithëse në bazë të saj, ai parashihet të bëhet kryeparlamentar, ndërsa Ramush Haradinaj kryeministër. 

Lajme

26/09/2014 09:34

Si lider i partisë më të madhe në Bllokun paszgjedhor, që tashmë përfaqëson vullnetin e shumicës parlamentare, ai nuk është parë në dy takimet e mëhershme të Bllokut.

Në vend të tij, e ka dërguar Ismet Beqirin, sekretarin e partisë.

Por, prania e këtij të fundit, nuk është se i ka kënaqur partnerët e tjerë të koalicionit, shkruan Gazeta Tribuna.

Mungesa e Mustafës, pretendohet të jetë bërë si rezultat i sqarimeve që ka marrë nga partnerë ndërkombëtarë se zgjedhja e tij në krye të parlamentit është e pamundshme, për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kjo e fundit në vendimin e saj kishte vendosur se të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit e ka vetëm PDK, si fituese e zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit.

Si rezultat i kësaj, Mustafa prej fillimit të kësaj jave ka bërë të paktën një deklaratë që është e ndryshme nga qëndrimi i Bllokut, e që ka të bëjë me kërkesën e tij që presidentja Atifete Jahjaga t’i drejtohet Kushtetueses për të gjetur zgjidhjen e kësaj situate të krijuar në Kosovë pas 8 qershorit.