Dita e Kushtetutës, Rexhepi tregon rolin dhe rëndësinë e kësaj gjykate

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka organizuar të martën aktivitetin “Dita e Gjykatës së Hapur”, me rastin e shënimit të Ditës së Kushtetutës. Në kuadër të këtij aktiviteti, qytetarët, por edhe vizitorë nga shkollat dhe kopshtet patën mundësinë të vizitojnë ambientet e Gjykatës dhe të njihen më nga afër me punën dhe rolin e…

Lajme

08/04/2025 13:00

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka organizuar të martën aktivitetin “Dita e Gjykatës së Hapur”, me rastin e shënimit të Ditës së Kushtetutës.

Në kuadër të këtij aktiviteti, qytetarët, por edhe vizitorë nga shkollat dhe kopshtet patën mundësinë të vizitojnë ambientet e Gjykatës dhe të njihen më nga afër me punën dhe rolin e saj në mbrojtjen e rendit kushtetues.

Nexhmi Rexhepi, kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, mbajti një ligjëratë para fëmijëve të kopshtit “Xixëllonja” të Prishtinës, të cilët vizituan gjykatën, duke theksuar rolin dhe rëndësinë e kësaj gjykate për Kosovën.

“Kosova është shtet, edhe secili shtet d.m.th. e ka një libër në të cilin janë të përcaktuara institucionet dhe janë përcaktuara të drejtat dhe detyrimet edhe të institucioneve edhe të qytetarëve. Tash ne e kemi kushtetutën që e kemi bërë para 16 vitesh. Kushtetuta e Kosovës tregon çfarë institucione do të ketë Kosova. Kosova do të ketë një Kuvend, Kosova do të ketë një qeveri, Kosova do të ketë gjykata. Ju kur të bëheni gjyqtar do të punoni një ditë në gjykatë. Aty do të vendosni kush ka të drejtë, kush nuk ka të drejtë, çka ka të drejtë, çka nuk ka të drejtë. Dhe Kushtetuta thotë që Kosova do të ketë gjykata, gjykatat do të jenë të pavarura. Çka i bjen ajo, që gjykatat duhet të gjykojnë vetëm në bazë të ligjit”, tha ai.

Ky aktivitet synon të promovojë transparencën dhe edukimin qytetar për rëndësinë e Kushtetutës në jetën demokratike të vendit.

Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill të vitit 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor të po atij viti. Kushtetuta është akti më i lartë juridik i një shteti që garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe qytetarëve të një vendi.