Dita e fundit e afatit, por mbi 900 zyrtarë publikë ende nuk kanë filluar procesin e deklarimit të pasurisë

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka njoftuar se procesi i deklarimit vjetor të pasurisë po zhvillohet sipas afateve ligjore, ku shumica e zyrtarëve publikë tashmë kanë përmbushur obligimin. Sot, më 31 mars është edhe zyrtarisht dita e fundit e afatit për deklarimin e pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit e ku kanë mbetur…

Lajme

31/03/2026 09:29

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka njoftuar se procesi i deklarimit vjetor të pasurisë po zhvillohet sipas afateve ligjore, ku shumica e zyrtarëve publikë tashmë kanë përmbushur obligimin.

Sot, më 31 mars është edhe zyrtarisht dita e fundit e afatit për deklarimin e pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit e ku kanë mbetur edhe disa orë si mundësi për deklarim të pasurisë.

Në një përgjigje të dhënë nga APK për lajmi.net u bë e ditur se sipas të dhënave të përditësuara së fundit gjithsej 8276 zyrtarë publikë, apo 79.79%, e kanë përfunduar deklarimin e pasurisë.

Ndërkohë, 1195 zyrtarë apo 11.52% janë në proces të deklarimit, ndërsa 901 zyrtarë publikë, apo 8.69%, ende nuk e kanë filluar këtë obligim.

APK për lajmi.net ka theksuar se korniza ligjore që rregullon këtë proces nuk parasheh ndonjë afat shtesë për përmbushjen e këtij obligimi pa pasoja juridike, duke rikujtuar se afati ligjor përfundon më 31 mars 2026.

Pas përfundimit të këtij afati, Agjencia do të ndërmarrë veprimet përkatëse ndaj zyrtarëve që nuk e kanë përmbushur obligimin, përfshirë shqiptimin e gjobave për vonesë në deklarim, të cilat janë në vlerë prej 30% të pagës mujore.

Në rastet kur obligimi nuk përmbushet edhe pas masave administrative, APK do të procedojë me hapat e mëtejmë ligjorë, duke përfshirë përgatitjen e kallëzimeve penale për organet kompetente, përkatësisht prokurorinë.

“Afati ligjor për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë përfundon më 31 mars 2026 dhe korniza ligjore që rregullon këtë proces dhe punën e APK-së nuk parasheh ndonjë afat shtesë për përmbushjen e këtij obligimi pa pasoja juridike.Pas përfundimit të afatit, Agjencia, në përputhje me kompetencat ligjore, do të ndërmarrë veprimet përkatëse ndaj zyrtarëve që nuk e kanë përmbushur obligimin, duke përfshirë shqiptimin e gjobave për vonesë në deklarim, të cilat janë në vlerë prej 30% të pagës mujore.Në rastet kur obligimi nuk përmbushet edhe pas masave administrative, Agjencia procedon me hapat e mëtejmë ligjorë, përfshirë përgatitjen e kallëzimeve penale për organet kompetente – prokurori”,thuhet në përgjigje.

Përpos pranimit të deklarimeve vjetore, Agjencia synon që publikimin e regjistrave të deklarimit të pasurisë ta realizojë brenda një periudhe rreth 30 ditë pas përfundimit të procesit të deklarimit

“Në funksion të rritjes së transparencës dhe efikasitetit institucional, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, synon që publikimin e regjistrave të deklarimit të pasurisë ta realizojë brenda një periudhe rreth 30 ditë pas përfundimit të procesit të deklarimit”, thuhet në përgjigjen e tyre../Lajmi.net/