​Dita e Dëshmorëve të Kombit pa asnjë aktivitet, Jashari: Institucionet kanë punë më të mençme

Dita e Dëshmorëve të Kombit vazhdon të shënohet në Shqipëri por jo edhe në Kosovë. Kjo pasi nuk po shënohet në nivel institucional. Krerët e shtetit nuk kanë bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve, por as nuk kanë shkruar në nderim të kësaj dite. Ndërkohë, shoqatat e dala nga lufta e fundit në Kosovë, kanë…

Lajme

05/05/2025 14:45

Dita e Dëshmorëve të Kombit vazhdon të shënohet në Shqipëri por jo edhe në Kosovë. Kjo pasi nuk po shënohet në nivel institucional.

Krerët e shtetit nuk kanë bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve, por as nuk kanë shkruar në nderim të kësaj dite.

Ndërkohë, shoqatat e dala nga lufta e fundit në Kosovë, kanë organizuar me dhjetëra aktivitete në nderim të dëshmorëve të të gjitha periudhave të historisë shqiptare.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në OVL-UÇK, Xhavit Jashari ka kritikuar institucionet, duke thënë se të njëjtat “kanë punë më të mençme”.

Sipas tij, institucionet po përpjekjen kot që të fyejnë e shajnë luftën çlirimtare.

“Aktivitete anë e kënd Kosovës dhe Shqiptarisë në koordinim me Tiranë edhe me Shkupin, jemi duke i bërë aktivitete, nderim edhe në respekt të dëshmorëve të luftës çlirimtare, deri në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës”, deklaron ai.

Dita e Dëshmorëve të Kombit është vendosur si ditë kombëtare për të kujtuar sakrificën e mijëra dëshmorëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Megjithatë, nga institucionet nuk ka agjendë zyrtare se do të ketë ndonjë aktivitet në nder të kësaj dite.

“Institucionet kanë punë më të mençme, me sha luftën, me fy luftën, me degradu luftën. Përpjekje të kota janë këto, por kanë punë më të mençme me godit luftën e UÇK-së, me shpif e me rrejt për luftën e UÇK-së…Ata kanë punë më të mençme edhe ata e kanë gabim nëse mendojnë pa luftën, pa sakrificën, pa rrugën e bërjes së lirisë mendojnë që kanë krijuar institucionet. Institucionet janë krijuar pas luftës dhe në radhë të parë duhet me i çmua këto vlera edhe me ua dhënë vendin e merituar”, shprehet ai.

Në seancën e sotme është mbajtur një minutë heshtje për ndër të 5 majit-Ditës së Dëshmorëve të Kombit.

Deputetët e Listës Serbe nuk janë ngritur në këmbë, por kanë qëndruar ulur.

Dita e Dëshmorëve të Kombit nuk figuron në kalendarin zyrtar të shtetit, ku edhe 26 vjet pas luftës nuk ka datë zyrtare për nderimin e dëshmorëve.