“Disa janë rrahur në organet gjenitale deri në atë pikë sa nuk kanë qenë më në gjendje të kenë fëmijë” – Laws me akuza qesharake dhe të pabazuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Simon Laws, përfaqësues i viktimave në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ka deklaruar se niveli i dhunës dhe keqtrajtimit të përshkruar në këtë çështje ka qenë jashtëzakonisht i rëndë. Gjatë fjalës së tij, Laws tha se viktimat nuk janë ndëshkuar vetëm përmes ndalimit, por janë trajtuar në mënyrë brutale dhe çnjerëzore, pa pasur asnjë…
Lajme
Simon Laws, përfaqësues i viktimave në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ka deklaruar se niveli i dhunës dhe keqtrajtimit të përshkruar në këtë çështje ka qenë jashtëzakonisht i rëndë.
Gjatë fjalës së tij, Laws tha se viktimat nuk janë ndëshkuar vetëm përmes ndalimit, por janë trajtuar në mënyrë brutale dhe çnjerëzore, pa pasur asnjë formë të procedurës së rregullt ligjore. Sipas tij, keqtrajtimi ka ardhur edhe nga persona me pozita të larta, përfshirë edhe të akuzuarin Rexhep Selimi, transmeton lajmi.net.
“Mizoria që kemi parë në këtë rast ka qenë ekstreme. Nuk mjaftonte që njerëzit të privoheshin nga liria, por në pothuajse çdo rast ata janë trajtuar në mënyrë të tmerrshme dhe pa asnjë proces të drejtë ligjor”, tha Laws.
Ai foli edhe për kushtet në të cilat pretendohet se janë mbajtur të ndaluarit, duke i përshkruar ato si degraduese dhe çnjerëzore.
“Kemi dëgjuar për persona që janë rrahur në ahure të rrethuara me mbetje kafshësh, për dhoma që ishin shumë të ftohta gjatë dimrit dhe përvëluese në verë. Të ndaluarve nuk u jepej ushqim apo ujë i mjaftueshëm dhe nuk u thuhej asnjëherë se sa do të zgjaste kjo apo nëse do të dilnin të gjallë”, u shpreh ai.
Laws përmendi edhe forma të rënda të keqtrajtimit fizik, të cilat, sipas dëshmive, janë ushtruar ndaj viktimave gjatë ndalimit.
“Kemi dëgjuar se njerëzit janë rrahur me hekur të nxehtë, se janë urinuar, se u është hedhur kripë në sy dhe në plagë. Disa janë rrahur në organet gjenitale deri në atë pikë sa nuk kanë qenë më në gjendje të kenë fëmijë”, tha ai, duke shtuar se një dëshmitar ka përshkruar se si trupi i dridhej kur është vënë në kontakt me rrymën elektrike.
Sipas përfaqësuesit të viktimave, dhuna është ushtruar nga persona të ndryshëm, përfshirë ushtarë të rinj, figura të njohura si Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi, si dhe, sipas pretendimeve, edhe nga Rexhep Selimi. Ai shtoi se në disa raste dhuna është kryer edhe nga gra, si dhe nga të burgosur të tjerë që kanë vepruar nën detyrim.
Në fund, Laws foli për pasojat afatgjata që këto përvoja kanë lënë te viktimat, duke theksuar se shumë prej tyre vazhdojnë të përballen me trauma të rënda psikologjike.
“Disa ende kanë frikë të qëndrojnë vetëm, kanë frikë nga errësira ose i përjetojnë sërish ngjarjet që u kanë ndodhur”, tha ai.
Ai shtoi se pasojat nuk i kanë prekur vetëm të ndaluarit, por edhe familjarët e tyre, të cilët kanë vuajtur rëndë nga ndalimi dhe keqtrajtimi i më të dashurve të tyre./lajmi.net/