Disa i “shpërblyen” me votë e dikë e lanë krejt jashtë, ja si votuan qytetarët për ministrat e Kurtit

Zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti ishin mundësia e “artë” e qytetarëve për të zgjedhur ata që i konsiderojnë të “denjë” për t’i përfaqësuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës për katër vitet e ardhshme. Partitë politike listuan 110 emra, disa që ishin të njohur për votuesit e disa që po i dëgjonin për…

Lajme

20/02/2025 14:02

Zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti ishin mundësia e “artë” e qytetarëve për të zgjedhur ata që i konsiderojnë të “denjë” për t’i përfaqësuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës për katër vitet e ardhshme.

Partitë politike listuan 110 emra, disa që ishin të njohur për votuesit e disa që po i dëgjonin për herë të parë, shkruan lajmi.net.

Lëvizja Vetëvendosje, listës së të cilës i printe kandidati për kryeministër Albin Kurti kishte futur në listë pothuajse të gjithë ministrat e Ministrive të Qeverisë Kurti 2. Në atë listë mungonte vetëm zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, dhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

A punuan mirë, apo i zhgënjyen qytetarët këta ministra për këtë vendosen vetë qytetarët para kutive të votimit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka publikuar 92.73% e votave të kandidatëve për deputetë, dhe në ueb-faqen e tyre kanë publikuar votat për secilin kandidat për deputet, shkruan lajmi.net.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci del të jetë i “preferuari” ministër nga Lëvizja Vetëvendosje pasi që mblodhi plot 96 mijë e 849 vota.

Pas tij, vjen ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati me 94 mijë e 531 vota, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu me 89 mijë e 601 vota, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla me 85 mijë e 632 vota, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz me 79 mijë e 691 vota.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia renditet i gjashti në listën e ministrave për nga votat me 48 mijë e 760 vota, pas tij ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci me 46 mijë e 194 vota, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku me 26 mijë e 91 vota dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli me 24 mijë e 293 vota.

Dy ministret e fundit për nga votat radhiten ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci me 17 mijë e 463 vota dhe Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari me 12 mijë e 304 vota.

Ministrja Rizvanolli e njohur për skandalin me rezerva shtetërore, bazuar në vota dhe radhitjen e saj në listë mbetet jashtë listës së deputetëve fitues.

Listës së Lëvizjes Vetëvendosje i prin kandidati për kryeministër, Albin Kurti me 259 mijë e 532 ndërsa atë e pason, kryetari i parlamentit gjatë qeverisjes që tani është në detyrë, Glauk Konjufca me 199 mijë 136.

Disa nga ministrat e lartpërmendur në vazhdimësi janë përmendur dhe është raportuar për skandalet e tyre, si për rezerva shtetërore, subvencione, skandali milionësh në KEK si dhe shumë punësime partiake. /Lajmi.net/