Diplomatja amerikane flet për takimin me Osmanin e Kurtin: Nuk shprehën asnjë kusht për dialogun

Ndihmës-Sekretarja Amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, ka folur për takimin që pati me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Lajme

26/04/2022 21:02

Ndër të tjerash, ajo ka deklaruar se Osmani e Kurti nuk kanë shprehur asnjë kusht për dialogun me Serbinë, ndërsa ka thënë se ata janë shprehur të gatshëm për t’u angazhuar me seriozitet dhe kreativitet në dialog.

“Kuptimi i qartë që e kam nga ajo që të dytë, presidentja dhe kryeministri, më thanë është se ka gatishmëri për tu angazhuar me seriozitet dhe kreativitet në dialog dhe nuk pati asnjë kusht që u shpreh për këtë”, tha Donfried në T7.

Ajo shtoi se nuk ka njohuri për afate kohore specifike sa i përket dialogut, por tha se nëse ka vullnet nga të gjitha anët, do të ketë lëvizje pozitive.

“Dje pata mundësinë që të flas me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti dhe mendoj se ata e ndajnë ndjenjën tonë sa e rëndësishme është që dialogu i lehtësuar nga BE-ja të ecë përpara. Sipas pikëpamjes sime, është e qartë se e ardhmja e Kosovës është si anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. E jetike për të ecur drejt atyre qëllimeve është një marrëveshje gjithëpërfshirëse që synon normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë e përqendruar në njohjen e ndërsjellë. Ne e shohim këtë dialog të lehtësuar nga BE-ja si pjesë kyçe të saj dhe për këtë arsye jemi kaq të etur që të shohim përparim. Nuk i di afatet kohore specifike, por mendoj se do të shohim lëvizje pozitive nëse ka vullnet nga të gjitha anët”, tha Donfried.