Diplomacia dhe Kultura kosovare fuqizojnë partneritetin strategjik

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, dhe Ministrja e Kulturës, Rinisë e Sporteve, Vlora Dumoshi, nënshkruan sot Marrëveshjen e Shkallës së Shërbimit midis dy ministrive përkatëse, e cila do të shërbejë për forcimin e diplomacisë kulturore të Republikës së Kosovës përmes fuqizimit të misioneve strategjike nëpër botë.

ShowBiz

24/11/2020 13:27

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Haradinaj-Stublla, tha se kjo marrëveshje është vazhdimësi e përpjekjeve të vazhdueshme për fuqizimin dhe reformimine shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës, përmes së cilës do të zgjerohet gama e përfaqësimit të Kosovës nga ai diplomatik e ushtarak, tani edhe në atë kulturor.

“Shteti ynë po fiton çdo ditë miq të rinj, e përkrahës të pashoq në rrugën e tij të konsolidimit dhe prezencës në botë. Por, Kosova ka edhe Ambasadorë pa kredenciale e pa grada diplomatike që përfaqësojnë çdo ditë e vullnetshëm në mënyrën më të dinjitetshme Kosovën dhe vlerat e saj kulturore, artistike, sportive, akademike etj”, u shpreh Ministrja Haradinaj-Stublla.

Ajo tha se deri tani Kosova është përfaqësuar në mënyrë të shkëlqyer nëpër botë, nga njerëzit tanë të cilët kanë arritur rezultate kulminante në kulturë e sport siç janë; Rita Ora, Dua Lipa, Ramë Lahaj, Majlinda Kelmendi, Lorik Cana e shumë e shumë të tjerë, e të cilët kanë qenë me vite ambasadorë të kulturës e vlerave shqiptare kudo që kanë vepruar e punuar.

“Përmes kësaj marrëveshjeje, me ministren Dumoshi kemi arritur për herë të parë të ndërtojmë një platformë për diplomacinë kulturore, kjo formë e vyer e përfaqësimit të vlerave tona të përbashkëta, deri më tani e pazhvilluar. Me këtë marrëveshje jemi zotuar të rrisim prezencën e imazhit, kulturës, traditës së Kosovës në misionet tona diplomatike dhe përmes tyre anembanë botës”, tha ajo, raporton lajmi.net.

Ministrja e Kulturës, Rinisë e Sportit, Vlora Dumoshi, tha se me anë të kësaj Marrëveshje mundësohet emërimi i Atasheve Kulturorë të cilët do të promovojnë kulturën e Republikës së Kosovës në vendet ku ata akreditohen.

“Atashe Kulturorë do të emërohen figurat eminente të kulturës dhe sportit që kanë për qëllim përfaqësimin e vendit tonë në misionet diplomatike të Republikës së Kosovës  duke u bazuar në synimin e përbashkët për fuqizimin e diplomacisë kulturore dhe sportive”, u shpreh ajo.

Diplomacia publike dhe ajo kulturore do të ndihmojnë revitalizimin e përfaqësimit dhe imazhit të vendit tonë në arenën ndërkombëtare, tashmë edhe me mbështetjen institucionale prej dy Ministrive përkatëse që kanë lidhur këtë marrëveshje. /Lajmi.net/