Dinari i Serbisë: Hovenier takon Guvernatorin e BQK-së

Ditë më parë, Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) miratoi rregulloren e re për Operacionet me Paratë e Gatshme. Kjo rregullore mori shumë reagime nga ndërkombëtarët, të cilët kërkuan të shtyhet zbatimi i dispozitave ku ndalohet dinari serb në Kosovë. Pas takimit me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier, BQK-ja dhe Guvernatori, Ahmet Ismaili, dolën me…

Lajme

29/01/2024 18:50

Ditë më parë, Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) miratoi rregulloren e re për Operacionet me Paratë e Gatshme. Kjo rregullore mori shumë reagime nga ndërkombëtarët, të cilët kërkuan të shtyhet zbatimi i dispozitave ku ndalohet dinari serb në Kosovë.

Pas takimit me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier, BQK-ja dhe Guvernatori, Ahmet Ismaili, dolën me njoftim.

Në njoftim thuhet se rregullorja e re e BQK-së nuk e ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në valutën euro në bankat e licencuara, dhe se as nuk e kufizon këmbimin e cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare, ose jo-bankare të licencuara nga ajo.

“Për më tepër, u sqarua se Rregullorja në fjalë nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro në bankat e licencuara dhe as nuk kufizon aktivitetin këmbimor të cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jobankare të licencuara nga BQK. Andaj, të gjithë individët, kanë qasje në llogari bankare dhe mund të pranojnë mjete në llogaritë e tyre në Euro, përmes kanaleve të ndryshme ligjore.

Pra, të gjithë qytetarët që tashmë kanë një llogari bankare në Euro, në cilëndo bankë të licencuar në Kosovë, mund ta përdorin të njëjtën për të pranuar mjetet nga çdo shtet. Ndërsa ata që ende nuk kanë llogari, mund të hapin një të tillë tek secila bankë, sipas Rregullores së BQK-së për Qasje në Llogari Pagese për Shërbime Bazike, që për grupet e cenueshme e të skemave sociale nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes, nga 1 janari 2024, thuhet në njoftim.

Siç potencohet në njoftim, këto komente Guvernatori Ahmeti i ka bërë gjatë takimit me ambasadorin amerikan.

Ndërsa, ambasadori amerikan ka theksuar se ky vendim i BQK-së nuk duhet të ndikojë negativisht te qytetarët.

“Së pari, besoj se këtë vendim e ka marrë Banka Qendrore e Kosovës, e cila është institucion i pavarur. Dhe, në fakt, sot në mëngjes pata rastin të takohem me kreun e Bankës Qendrore. Shtetet e Bashkuara absolutisht e pranojnë Kushtetutën e Kosovës. Dhe, në fakt, mendoj se është e qartë se ne ndihmojmë në mbështetjen e procesit të miratimit të tij dhe mbështesim dispozitat e tij. Dhe ne presim që Kushtetuta në tërësinë e saj të zbatohet plotësisht në këtë rast konkret. Ne besojmë se kjo rregullore (një pjesë e saj) mund të ketë pasoja që nuk janë menduar plotësisht.

Pra, ajo që po i kërkojmë Bankës Qendrore dhe autoriteteve të bëjnë është të shtyjnë zbatimin e disa prej dispozitave, të japin pak kohë për t’u siguruar që ata kanë bërë përgatitjen për të siguruar që popullatat e prekura të mos ndikohen negativisht”, ka thënë Hovenier.

Hovenier ka thënë se një pjesë e kësaj rregulloreje shkon me atë se çka kanë kërkuar prej kohësh nga Kosova, por se duhet të zgjidhen disa çështje.

“Njerëzit të cilët kanë marrë pagesa në një mënyrë të caktuar kanë marrëveshje për të marrë pagesa në një mënyrë tjetër, se nuk ka njeri që vuan nga rregullimi. Ne respektojmë absolutisht autoritetin e Bankës Qendrore të Kosovës për të rregulluar transaksionet financiare në mbarë Kosovën. Kjo është përgjegjësia e tyre dhe besoj se një pjesë e kësaj rregulloreje shkon në diçka që ne dhe shumë të tjerë e kemi kërkuar prej kohësh, që është sigurimi i kontrolleve të duhura financiare për të shmangur krimet financiare, pastrim parash, financim terrorizmi, gjëra të tilla. Por ne besojmë se nevojitet kohë, nevojitet periudha e tranzicionit dhe disa çështje duhet të zgjidhen, nga këndvështrimi ynë, duket se nuk janë zgjidhur ende.

Prandaj ne si QUINT kemi kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit për të lejuar realizimin e kësaj pune”, ka shtuar ambasadori amerikan.