Dilema nëse Kushtetuesja do ta trajtojë si të pranueshme kërkesën e AAK-së

Gjykata Kushtetuese do ta shpallë të papranueshme kërkesën për vlerësim të kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit të Kosovës për refuzimin e formimit të komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit, në bazë të lëndës së dërguar të hënën nga dhjetë deputetë të legjislativit, thonë në Institutin e Kosovës për Drejtësi. Mirëpo, të kundërtën…

Lajme

14/05/2025 14:08

Gjykata Kushtetuese do ta shpallë të papranueshme kërkesën për vlerësim të kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit të Kosovës për refuzimin e formimit të komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit, në bazë të lëndës së dërguar të hënën nga dhjetë deputetë të legjislativit, thonë në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

Mirëpo, të kundërtën e thonë njohës të Kushtetutës, të cilët theksojnë se nëse Gjykata Kushtetuese e trajton si kërkesë të pranueshme ankesën e dhjetë deputetëve të Kuvendit, atëherë duhet të vendosë masë të përkohshme dhe të pezullojë mbajtjen e vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.

Në IKD deklarojnë se edhe kërkesa për masë të përkohshme, në mënyrë që të ndalohet mbajtja e vazhdimit të seancës konstituive çdo 48 orë, është e paqartë, pasi e njëjta s’prodhon ndonjë pasojë juridike.

Sipas IKD-së, ky vendim i Kuvendit është refuzues dhe, në këtë rast, Kushtetuesja s’ka çfarë të vlerësojë për kushtetutshmërinë, derisa s’ka një vendim të miratuar.

Në anën tjetër, në Gjykatën Kushtetuese thonë, se kërkesën e dhjetë deputetëve të Kuvendit e kanë regjistruar dhe proceduar tutje, derisa shtojnë se për vendimmarrjen e këtij institucioni do të njoftohen palët dhe qytetarët me kohë.

Janë bërë një muaj që kur Kuvendi i Kosovës ka nisur mbajtjen e seancës konstituive, mirëpo të martën, për të pesëmbëdhjetën herë, dështoi të zgjedhë trupat e legjislativit, përfshirë kryeparlamentarin dhe nënkryetarët.

Ngërçi aktual është te formimi i komisionit verifikues për votim të fshehtë në zgjedhjen e kryeparlamentarit. I njëjti, në shtatë seancat e fundit, nuk ka marrë mbështetjen e 61 deputetëve të Kuvendit.

Ndërkaq, deputetja Albulena Haxhiu, si e propozuar e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, në disa tentime me votim të hapur, po ashtu nuk ka marrë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në këtë post.

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Melos Kabashi thotë se, pavarësisht ngërçit të krijuar në Kuvend, kërkesa e dhjetë deputetëve nuk mund të dërgohet si rast në Kushtetuese, pasi nuk ka një vendim të miratuar nga legjislativi, në të cilin ky institucion do të mund të ndërhynte.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese, në momentin kur merr një aktgjykim, i bie që të ndërrojë dhe të vlerësojë kushtetutshmërinë e atij akti. Mirëpo, në rastin konkret, nuk ka çfarë të vlerësojë derisa nuk ka vendim të miratuar.

“Mosvotimi i një komisioni për votimin e fshehtë për kryetarin e Kuvendit nuk mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, pasi nuk ka një vendim të miratuar, ashtu siç parashihet me nenin 113.5 të Kushtetutës së Kosovës, ku flitet për palët e autorizuara që kanë të drejtë të dërgojnë çështje në Gjykatën Kushtetuese. Aty thuhet se duhet të ketë një vendim të miratuar, ndërsa në situatën reale kemi një vendim, por jo të miratuar. Vendimi për refuzimin e këtij komisioni nuk prodhon ndonjë pasojë juridike dhe nuk krijon ndonjë situatë të re në Kuvend. Sipas vlerësimit të IKD-së, nuk mund të dërgohet një rast i tillë në Gjykatën Kushtetuese për arsye se nuk ka një vendim të miratuar, me të cilin Kushtetuesja do të ndërhynte. Gjykata Kushtetuese, në momentin kur merr aktgjykimin e saj, i bie që ajo të ndërrojë dhe vlerësojë kushtetutshmërinë e atij akti. Në këtë rast nuk ka se çfarë të vlerësojë, derisa nuk ka vendim të miratuar. Realisht kemi një vendim të refuzuar dhe të kundërshtuar nga Kuvendi. Kërkesa për masë të përkohshme është e paqartë, pasi nuk ka ndonjë vendim të miratuar dhe nuk ka se çfarë të pezullohet. Masat e përkohshme zbatohen për aktet që prodhojnë pasoja juridike, ndërsa në këtë rast nuk ka përveç atij akti që çdo 48 orë deputetët të mblidhen për të vazhduar seancën”, thekson ai.

Por profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu thotë, se nëse Kushtetuesja e konsideron si të pranueshme kërkesën për vlerësim të kushtetutshmërisë së mosvotimit të komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit, atëherë duhet të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e përkohshëm të mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit deri në vendimmarrjen e saj.

“Është çështje e Gjykatës Kushtetuese se si do ta trajtojë këtë. Fillimisht, a do ta trajtojë si kërkesë të pranueshme apo jo. E dyta, a do të marrë masë mbrojtëse. Nëse pranon kërkesën, do të duhej të caktonte një masë mbrojtëse. Kjo punë fillimisht nuk është e vështirë dhe e komplikuar si çështje apo rast për Gjykatën Kushtetuese. Është urgjente dhe emergjencë kombëtare që Gjykata Kushtetuese të veprojë me shpejtësi dhe prioritet dhe të marrë një masë të përkohshme, në mënyrë që të saktësojë a është apo jo në frymën e Kushtetutës. Masën e caktuar duhet ta ndërmarrë sa më shpejt, për disa ditë, në mënyrë që të orientojë Kuvendin në mënyrë efektive dhe efikase. Madje, të caktojë edhe afate se deri kur mund të kryhet kjo punë”, deklaron ai.

Dilema nëse Gjykata Kushtetuese do ta trajtojë si të pranueshme kërkesën e deputetëve për vlerësimin e kushtetutshmërisë për komisionin verifikues është ngritur të martën edhe nga përfaqësuesja e LVV-së dhe kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila.

“Në mënyrën sesi ishte shkruar kërkesa e një grupi parlamentar që nuk kanë nënkryetar të Kuvendit për Gjykatën Kushtetuese është e tillë që mund të mos jetë e pranueshme, por i takon gjykatës të trajtojë atë”, tha ajo.

Ngërçi në konstituimin e Kuvendit të Kosovës po ndodh për shkak se Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk po siguron 61 votat e nevojshme për të zgjedhur kryeparlamentarin.

Kundër propozimit të tyre për këtë post po votojnë deputetët nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkaq tre deputetët e Nismës Socialdemokrate po abstenojnë.

Nga radhët e komuniteteve jo-shumicë, deputetët e Listës Serbe nuk po marrin pjesë fare në votim. Të njëjtën gjë e ka bërë deri tani edhe deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje.

PDK dhe AAK po kërkojnë ndryshimin e kandidatit nga LVV-ja për të gjetur një zgjidhje, kurse LDK është kundër votimit të çfarëdo kandidati nga LVV-ja.

Seanca e radhës do të mbahet më 15 maj. Pikërisht në këtë datë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka ftuar për takim liderët e partive parlamentare, në përpjekje për të zgjidhur krizën në Kuvend.