Dikush plagosi kolegen, tjetri e vrau, dy të tjerë vranë familjarët e njëri plagosi nënën- Çfarë po ndodh me armët zyrtare të policëve tanë?

Armët të cilat i kanë zyrtare, e të cilat do të duhej të përdoreshin si mjet i fundit për parandalimin e ndonjë rreziku për qytetarët, për institucionet apo diçka të ngjashme zyrtarët policor po i përdorin vend e pavend. Thuhet se aksidentalisht por këto raste janë bërë shumë të shpeshta. Vetëm brenda pak muajve janë…

Lajme

11/10/2024 12:57

Armët të cilat i kanë zyrtare, e të cilat do të duhej të përdoreshin si mjet i fundit për parandalimin e ndonjë rreziku për qytetarët, për institucionet apo diçka të ngjashme zyrtarët policor po i përdorin vend e pavend.

Thuhet se aksidentalisht por këto raste janë bërë shumë të shpeshta.

Vetëm brenda pak muajve janë diku pesë raste ku zyrtarët e caktuar policor kanë shtënë me armë zjarri zyrtare, e ku kanë plagosur dikë në mesin e tyre shpesh herë familjar.

Një rast i ngjashëm ndodhi edhe mëngjesin e sotëm në Prishtinë, ku zyrtarja policore e stacionit “Jugu” mbeti e plagosur nga një koleg.

Madje sipas Inspektoratit Policor të Kosovës kjo plagosje ndodhi “aksidentalisht”, arsyetim ky i dhënë thuajse në secilin rast.

“Hetuesit e IPK-së janë njoftuar sot në orët e mëngjesit nga Policia e Kosovës për një incident shkrepje aksidentale të armës së zjarrit në objektin e Stacionit Policor Jugu në Prishtinë. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se si pasojë e shkrepjes aksidentale një copë e gëzhojës së plumbi ka plagosur një zyrtare policore në këmbë dhe e njëjta është transportuar menjëherë për trajtim mjekësor. Lidhur me rastin, është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili do të udhëheqë hetimet e mëtejshme në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK)”, u tha në njoftim.

Gjithashtu IPK njoftoi se zyrtari policor në fjalë tashmë është suspenduar.

E nga QKUK-ja për lajmi.net ka në bërë të ditur se gjendja shëndetësore e zyrtares policore është stabile.

Policja e stacionit “Jugu” në Prishtinë ishte plagosur derisa bashkë me kolegun e saj gjendeshin brenda stacionit.

Ajo u godit në pjesën e këmbës, ndërsa trajtimin mjekësor po e vazhdon në klinikën e Ortopedisë.

“Gjendja është stabile është trajtu në qendrën emergjente e kemi transferu në Klinikën Ortopedike po vazhdojnë tretmanët”.

Por ky s’është rasti i vetëm.

Një rast i ngjashëm kur zyrari policor përdori armën zyrtare ishte në korrik të këtij viti.

Polici kosovar plagosi një të mitur, 16 vjeçar pikërisht me armën e zjarrit që i dha Policia e Kosovës kure dhe kreu akademinë.

Fatjon Hoti shtiu me armë në drejtim të 16 vjeçarit, e si shkak i plagëve të marra në këtë rast disa ditë më vonë i mituri ndërroi jetë.

I mituri vdiq në QKUK derisa po trajtohej si shkak i plagëve të rënda që mori nga arma e zjarrit.

E gjashtë ditë më parë një grua u plagos në Prishtinë. Plagosja e saj nuk ishte nga dikush tjetër, por nga një zyrtar policor.

Gruaja në Kolovicë u plagos rëndë nga djali i saj, i cili tashmë është pjesë e Policisë së Kosovës.

E njëjta mori plagë të rënda në trup dhe iu desh që të trajtohej në kuadër të QKUK-së.

Në lidhje me këtë rast nga Inspektorati Policor i Kosovës njoftuan se kanë kërkuar suspendimin e policit.

Derisa njoftuan se zyrtari policor kishte plagosur nenën thanë se i dyshuari në këtë rast është shoqëruar në Inspektorati Policor të Kosovës ku edhe është konfiskuar arma zyrtare që dyshohet të jetë përdorur në atë rast.

Rast të ngjashme shumë të rënda po ndodhin vazhdimesh në kuadër të një institucioni shumë të vlerësuar e të respektuar siç është Policia e Kosovës.

Një rast tjetër po ashtu tejet i rëndë ndodhi në gusht të këtij viti, ku si fillim u raportua për një vrasje në Ferizaj, e që doli të jetë edhe më e komplikuar.

Zyrtari policor Festim Ramadani me armë zjarri të gjatë të tipi AK-47 kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të burrit të tezës, në momentin që ai ishte parë në oborrin e një restoranti në këtë qytete.

Disa mosmarrëveshje të ndodhura më herët, ku viktima dyshohet se kishte prekur atë në moral familjar shtyn që ky rast të kthehej në tragjedi.

I dyshuari në këtë rast Festim Ramadani ishte zyrtar policor për disa vite me radhës, ndërsa i njëjti vazhdon tani të jetë i burgosur.

Por pse? Si shkak i këtyre përdorimeve të armëve shihet edhe përgatitja jo adekuate dhe shkollimi i shkurtër që po bëhet vit eve të fundit.

Madje gjeneratat e fundit që dolën nga Policia e Kosovës patën një trajnim prej vetëm 3 muajsh .

Pra tre muaj këta zyrtarë policorë qëndruan në Vushtrri, në kuadër të Akademisë Policore të Kosovës.

Edhe pse zyrtarisht nga Policia e Kosovës janë munduar që këtë të arsyetojnë duke thënë se trajnimi i tyre vazhdon edhe kur bëhen pjesë e patrullave, por trajnimi ku ata shkollohen në Vushtrri është vetëm tre muaj, për dallim nga gjeneratat e kaluara të dala nga ky trajnim.

E një rast edhe më tragjik i ngjashëm pati ndodhur kur zyrtarët policor ishin mbledhur në një aheng në një prej vilave në shkurt të vitit 2022.

Festa e organizuar aty nga një grup policësh ishte kthyer në tragjedi.

Njëri nga policët kishte vrarë me armë zjarri zyrtare kolegun e tij 27 vjeçar asokohe, Lirim Haxhollin.

I dyshuari në këtë rast, Fatlum Mehmeti po vazhdon të jetë në burg duke u përballur me gjyqësinë kosovare.

Me të njoftuar me rastin, Mehmeti bashkë me disa zyrtarë të tjerë policorë ishin ndaluar për 48 orë.

Disa prej tyre më pas janë liruar e janë kthyer në pozita zyrtare policore, derisa ky i fundit vazhdon të jetë në burg.

“Me dyshimin se kanë kryer veprën penale të “Shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm” dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga Inspektorati Policor janë arrestuar edhe 5 zyrtarë tjerë policorë (që ishin prezent në ndejë) kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe të njëjtit janë suspenduar.”

IPK ka njoftuar po ashtu se i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit edhe për 9 zyrtarët tjerë policorë që ishin prezent në këtë rast, ishte raportuar në fillim të këtij rasti.

Raste të ngjashme të përdorimit të armës zyrtare jashtë punës ku vërtet kërkohet reagimi i tyre janë të shpeshta, e së fundi kanë nisur të bëhen edhe shqetësuese./Lajmi.net/