Dikur i përkrahnin në greva e protesta, sot VV i quan të kapura Sindikatat

Në vitin 2019, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe e Kulturës së Kosovës – SBASHK, kishte hyrë në grevë pasi që Qeveria e drejtuar nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, nuk kishte zbatuar marrëveshjen e nënshkruar me këtë sindikatë që parashihte procedimin në Kuvendin e Kosovës të projektligjit të hartuar nga MASHT-i lidhur me statusin e punëtorëve të arsimit për vitet e ’90-ta.

Lajme

25/11/2021 11:59

Gjatë atij viti, Lëvizja Vetëvendosje e cila ishte në opozitë, kishte përkrahur grevën e SBASHK-ut, duke thënë se fajin e ka Qeveria e Kosovës, shkruan lajmi.net.

Ish-deputeti i VV-së, Ismajl Kurteshi, kishte deklaruar se grevën nuk e kanë dashur as mësimdhënësit, por janë detyruar të hyjnë në grevë si pasojë e asaj Qeverie.

“Greva që nuk e deshën as mësimdhënësit erdhi si pasojë e kësaj qeverie. Sikur qeveria të mos i rriste pagat e veta, që me të drejtë nxiti shumë sektor nuk do të krijoheshin pakënaqësitë që janë sot. Sikur qeveria të mos i injoronte shqetësimet e sindikatës sot fëmijët nuk do të mbetnin pa mësim. Është detyrë e kësaj qeverie që së bashku me sindikatën të gjejnë një zgjidhje të arsyeshme që mësimi të fillojë”, kishte deklaruar Kurteshi.

Po atë vit, ish-deputetja e VV-së, e cila tani është ministre në Qeverinë Kurti, Arbërie Nagavci, kishte deklaruar se Ministria e Arsimit të Qeverisë Haradinaj nuk kishte marrë parasysh kërkesat e SBASHK-ut.

“Nuk është sjell në votim të dytë projektligji për pagat dhe është e qartë se vet koalicioni qeverisës e ka vonuar këtë ligj. Qeveria e cila falë me dhjetëra miliona euro, që e stërmbush qeverinë me këshilltar nuk merret aspak me zgjidhjen e këtyre problemeve. Është e papranueshme që projektligji për pagat parasheh rritje për presidentin kryeministrin dhe jo edhe për mësimdhënësit”, kishte deklaruar Nagavci.

Por, qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje karshi sindikatave në Kosovë si duket ka ndryshuar pasi kanë ardhur në pushtet.

Pas paralajmërimeve për greva nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës dhe SBASHK-ut, Ministri i Financave nga radhët e VV-së, Hekuran Murati, ka reaguar dje duke deklaruar se ka sindikata të “kapura”.

“Si Qeveri, jemi të përkushtuar që të punojmë për kushte më të mira për të gjithë punonjësit, si në sektorin publik, ashtu edhe privat. Paralajmërimi i grevave që më shumë kanë synime politike sesa që brengosen për realizimin e të drejtave të personelit shëndetësor, nuk na shpie askund. Për më tepër, greva e paralajmëruar për nesër nga FSSHK, nuk është në përputhje me legjislacionin në fuqi që rregullon mbajtjen e grevave, saktësisht nenet 6, 7 dhe 15 të ligjit për grevat”, deklaroi dje Murati, transmeton lajmi.net.

Tutje ai theksoi se me qasje të tillë, humbin edhe pacientët edhe personeli shëndetësorë.

“Kurse ata që paralajmërojnë greva nuk humbin. Përkundrazi, në 5 vitet e fundit FSSHK ka pranuar mbi 3 milionë euro në emër të kontributeve që u janë ndalur nga paga personelit shëndetësor dhe u janë transferuar FSSHK-së. Dyshoj se ndonjëherë personeli shëndetësor janë njoftuar se ku kanë shkuar këto para.”, shtoi ai.

Hekuran Murati deklaroi se krahas përfitime financiare, ata shtyjnë përpara edhe agjendën politike.

“…siç kishin bërë në vazhdimësi me partitë e pushteteve të kaluara kur në kohë fushate nënshkruanin “marrëveshje” të cilat kurrë nuk i zbatuan. Zaten, nuk ka mundur të ketë shtet të kapur, pa disa sindikata fort të kapura.”, tha ministri. /Lajmi.net/