Dikujt ia ndryshoi ministrinë, e dikë e propozoi me aktakuzë e skandale- Kurti i la jashtë Bislimin, Hajdarin, Nagavcin e Hysen Durmishin

I mandatuari për kryeministër, Albin Kurti dje pati mundësinë që të prezantoj para deputetëve, por edhe para gjithë qytetarëve të Kosovës punët që parashihte t’i kryej me qeverinë e re si dhe emrat e kabinetit qeveritar. Kurti në fjalimin e tij para deputetëve nisi të flasë për atë që sipas tij nën qeverisjen e tij…

Lajme

27/10/2025 11:41

I mandatuari për kryeministër, Albin Kurti dje pati mundësinë që të prezantoj para deputetëve, por edhe para gjithë qytetarëve të Kosovës punët që parashihte t’i kryej me qeverinë e re si dhe emrat e kabinetit qeveritar.

Kurti në fjalimin e tij para deputetëve nisi të flasë për atë që sipas tij nën qeverisjen e tij ishin punë të mira, se si Kosova është përballur me sfida të ndryshme dhe se si ato u tejkaluan dhe gjithçka u arrit me sukses.

Madje Kurti fokusin e tij e pati edhe në punët që siç thotë ai e përmirësuan jetën e qytetarëve.

Kurti madje deklaroi se fokusi i qeverisë ishte në ushtri e në armatim të ri.

“Gjatë këtyre viteve jemi përballur me sulme të shpeshta të Serbisë që 4 herë solli ushtrinë e saj në Kosovë. Patëm dy sulme të rënda terroriste në Banjskë dhe në Ibër Lepencë. Por si kurrë më parë u trefishua buxheti për FSK-në dhe u dyfishua numri i ushtarëve. U katër fishuan trajnimet jashtë vendit dhe u shumëfishuan blerjet e armatimeve. Policia shkatërroi grupet kriminale e mbylli rrugët kriminalet në veri të vendit e ndërtoi nënstacione të reja në veri e mbylli dhjetëra struktura ilegale në veri e anembanë vendit që për vite me radhë vepronin të paprekura e të papenguara. Sot grupet kriminale që kryen krime në veri janë shkatërruar e dokumentet ilegale janë zëvendësuar me ato të Republikës, e dinari është zëvendësuar me euro. Sovraniteti është forcuar e kryekrimineli Radoiciq është në arrati”,tha ndër të tjerash Kurti.

E përpos kësaj, Kurti e pranoi hapur se asnjëra nga partitë politike nuk kishte pranuar që të lidhte koalicion me të dhe Vetëvendosjen.

Kësisoj që në fillim të seancës së jashtëzakonshëm Kurti veçse e bëri të ditur se nuk i ka votat për kabinet qeveritar për të cilën thoshte “më testoni dhe do e kuptoni”, duke pretenduar se veçse i kishte siguruar ato.

Pavarësisht se takoi njerëz të shumtë duke tentuar që të arrihet ndonjë marrëveshje, askush nuk pranoi bashkëpunim me të, duke pasur parasysh edhe deklarimet e ashpra e fyese që ai kishte ndaj opozitës për muaj me radhë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kurti shkoi edhe më tutje duke thënë se do e ngris pagën minimale në 500 euro, se do rriten pensionet e shtesat për fëmijë.

Por asnjë nga këto nuk funksionuan e kësisoj Kurti bëri histori duke u bërë i pari në Kosovë që propozon kabinetin qeveritar dhe nuk i ka 61 vota për.

Por çudia më e madhe ishte në momentin kur ai nisi t’i thotë emrat e të propozuarve për ministra.

Përpos që shumë prej tyre nuk përshtateshin fare me postin të cilin tentonte t’ua jepte, Kurti njoftoi se në fakt është rritur numri i ministrive.

Kritiku më i madh i dikurshëm i kësaj çështje, e që s’linte gjë pa thënë se si qeveritë e kaluara kishin numër ekstrem të ministrive tani vendosi që ta rrisë këtë numë rduke shtuar ministri thuajse të panevojshme.

Nga 15 sa janë tani, Kurti dje propozoi 19.

Fikrim Damka u propozua për ministër, ani pse me aktakuzë aktive kjo gjë madje si pengoi fare Kurtit. Mimoza Kusari-Lila u propozua anipse dëgjohej se kishte biseduar me kryekriminelin Milan Radoiciq.

Në propozim dje ishte edhe Fitore Pacolli, emri më i përfolur pas Faton Pecit për skandale të shumta në grante e përfitime materiale.

Blerim Gashani emër i bërë i njohur në një paraqitje skandaloze televizive ku bashkë me Faton Pecin u duhej të pranonin se kishte punësuar motrën e tij në ministrinë e drejtuar nga Peci.

Armend Muja po ashtu i akuzuar, e  Dimal Basha tanimë me pozitë drejtuese të Kuvendit të Kosovës.

Surprizë pas surprize Kurti nuk ndalej dje me këta emra.

Por ajo çfarë çuditi edhe më tepër është fakti se la jashtë kabinetit, Besnik Bislimin njeriun e tij të besueshëm. Në paraqitje të këtij kabineti Bislimi nuk u përmend fare ani pse tani është zv/kryeministër në detyrë dhe drejtues i dialogut.

Jashtë këtij propozimi u la edhe ministrja Rozeta Hajdari- skandalet e ministrisë të cilën e drejton ajo po vazhdojnë të hetohen intensivisht.

E për ndonjë ministri nuk u përmend as Arbërie Nagavci, e cila në shumë raste ishte cilësuara edhe si ministrja më e “dobët” e kabinetit qeveritar pasi në Arsim nuk pati zhvillime aspak të mira.

Jashtë e la edhe Hysen Durmishin, që tani po zëvendëson Liburn Aliun në Ministri të Infrastrukturës.

Hyen Durmishi që për vite me radhë fliste se sa thellë i ka rrënjët në Vetëvendosje, siç duket nuk është më aq i rëndësishëm për Kurtin.

E padyshim Kurti i rezrvooi një vend të mirë Glauk Konjufcës, që më parë drejtonte Kuvendin.

Konjufca u propozua si zv.kryeministër dhe ministër i Jashtëm.

Kurse Donika Gërvallës ia besoi ministrinë e Drejtësisë që dikur drejtohej nga Albulena Haxhiu.

Sipas Kurtit, Gërvalla do ishte e duhura të merrej me drejtësinë në Kosovë- por as ajo dhe të tjerët nuk morën as 61 vota.

Kësisoj emrat që propozoi dje Kurti nuk ishin më të mirët të mundshëm, por siç duket i njëjti e dinte veçse se kjo përbërje nuk do të votohej dhe se nuk kishte arritur t’i siguronte votat që për muaj të tërë pretendonte se i kishte.

Para pesë muajsh, kryetari i Vetëvendosjes kishte sfiduar partitë e tjera që të votojnë kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, duke u shprehur i sigurt se e kishte shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë e re.

Madje, në intervistën e tij për televizionin publik, kishte deklaruar se nëse nuk arrin të sigurojë shumicën, kjo do të ishte një fitore politike për opozitën.

“Ata nuk besojnë që unë nuk i kam 61 vota për kryeministër. Unë iu them atyre ‘me testoni’. Nëse ata besojnë që Albin Kurti si ka 61 vota të deputetëve për t’u bërë kryeministër përsëri, e kanë në dorë të më besojnë. Le ta votojnë Albulenën dhe le të më testojnë mua. Nëse unë dështoj, pikërisht kjo do të ishte fitore për ta. Nuk do të ishte fitore për ta duke e bllokuar Kuvendin dhe duke pamundësuar korumin.” – kishte deklaruar Kurti.

Pas këtyre zhvillimeve, tashmë pritet që presidentja Vjosa Osmani t’i thërrasë partitë politike për takime konsultative brenda afatit kushtetues dhe ligjor.

Kurti humbi dje ligjërisht mundësinë e tij derisa mbetet të shihet nëse partitë opozitare kanë interes për formim qeveritar, apo për zgjedhje.

Në rrethanat aktuale, pas tetë muajsh bllokadë politike, mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare duket e pashmangshme.

Propozimet e Kurtit:

Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme: Glauk Konjufca

Zëvendëskryeministre e detyrë dhe ministre e Drejtësisë: Donika Gërvalla

Zëvendëskryeministër për çështje të pakicave: Fikrim Damka

Ministër i Financave dhe Ekonomisë: Hekuran Murati

Ministër për Familje dhe Mirëqenie Sociale: Andin Hoti

Ministër i Mbrojtjes: Ejup Maqedonci

Ministër i Brendshëm: Xhelal Sveçla

Ministër i Administratës Publike dhe Digjitalizimit: Lulzim Jashari

Ministër i Shëndetësisë: Arben Vitia

Ministër i Arsimit dhe Shkencës: Avni Zogiani

Ministër i Kulturës dhe Turizmit: Fatmir Spahiu

Ministër i Sportit dhe Rinisë: Blerim Gashani

Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal: Rasim Demiri

Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor: Fitore Pacolli

Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural: Armend Muja

Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit: Dimal Basha

Ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Integrimeve Evropiane: Mimoza Kusari

Ministre e Energjisë dhe Minierave: Artane Rizvanolli

Ministër për Komunitete dhe Kthim: Nenad Rashiq

Ministër për Zhvillim Rajonal: Sejnur Vejvoda./Lajmi.net/